Site icon PrishtinaPress

KQZ tregon afatet se kur mund të votojnë qytetarët jashtë Kosovës 

Qytetarët jashtë Kosovës do të mund të votojnë më herët sesa ata brenda pas regjistrimit online. Kjo mënyrë votimi po organizohet për herë të parë në Kosovë.

Tashmë mbi 100 mijë votuesit e regjistruar kanë disa mënyra se si mund të votojnë dhe varësisht prej mënyrës që ata kanë zgjedhur është caktuar edhe periudha e votimit.

Në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: (1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar afatet e votimit për tri mënyrat e përcaktuara me ligj.

“Votimi në përfaqësi diplomatike për shtetasit që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi do të zhvillohet më 8 shkurt 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë”, tha Elezi.

Për mënyrën e dytë të votimit përmes postës për votuesit që janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së, Elezi ka thënë se fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025.

“Periudha e votimit për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar duke dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vota nga kjo mënyrë votimi, pranohet nga KQZ-ja deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve, me kusht që të ketë vulën e dërgimit para ditës së zgjedhjeve”, shpjegoi Elezi.

Për mënyrën e tretë dhe të fundit, e cila sipas KQZ-së, është mënyra që ka më së shumti votues të regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, do të fillojë më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025.

“Edhe periudha për votim për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar duke dërguar pakon me fletëvotim përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vota nga kjo mënyrë votimi, pranohen nga ekipet që dërgon KQZ-ja, vetëm ato që kanë arritur në kutinë postare, më së voni deri në orën e mbylljes së vendvotimeve në përfaqësinë diplomatike”, shpjegoi Elezi.

Exit mobile version