1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

KPK-ja ende nuk ka nisur procesin të ri për Kryeprokuror të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e ka në plan që të ndërmarr ndonjë hap për çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit, derisa procesi i ri i përzgjedhjes është kërkuar edhe në raportin e Komisionit Europian për Kosovën. Nga KPK-ja thanë se janë në pritje të përgjigjes së presidentes, pas ridërgimit të emrit të Isufajt. Ndërkohë që ministrja e Drejtësisë thotë se veprimet e KPK-së janë të paarsyeshme e joligjore.

As Raporti për Kosovën i hartuar nga Komisioni Europian nuk po arrin të bind Këshillin Prokurorial të Kosovës që të nis një proces të ri të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në raportin e fundit për shtetin, i cili u publikua ditë më parë, është thënë se KPK-ja duhet të përsëris këtë proces, duke respektuar parimet e transparencës dhe meritokracisë.

Megjithëkëtë, Këshilli Prokurorial është duke i qëndruar besnik emrit të cilin e ka propozuar për këtë pozitë.

Në një përgjigje për TV Dukagjinin, ky institucion nuk ka komentuar gjetjet e raportit, por ka thënë se janë në pritje të përgjigjes së dytë nga presidentja.

“Siç jeni në dijeni, pozita e Kryeprokurorit të Shtetit vazhdon të udhëhiqet nga Ushtruesi i Detyrës, ngase Këshilli Prokurorial i Kosovës ende nuk ka marrë përgjigje nga Zyra e Presidentes pas ridërgimit të emrit të kandidatit për këtë pozitë. Në momentin kur të kemi përgjigje nga Zyra e Presidentes, KPK-ja do t’ju informojë në kohë reale për ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm lidhur me këtë çështje”– tha Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Nisjen nga pikën zero të procesit për këtë pozitë e ka kërkuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila thotë se janë të paarsyeshme veprimet e KPK-së.

“Unë nuk e di se ku e ka zbatuar apo ku e ka bazuar këtë dërgim të sërishëm Kpk-ja kue  ka bazën ligjore, sepse Kushtetuta e Kosovës, flet për prokurorët, për radhën e dytë që dërgohen për dekretim, por nuk flet për kryeprokurorin e shtetit, sikurse presidentja nuk ka afat kohor se kur duhet të e dekretoj kryeprokurorin e shtetit, andaj edhe nuk e kam kuptuar KPK-në, mendoj se procesi duhet të kthehet ne piken zero dhe të ketë vëmendje të madhe në raport me mënyrën se si do adresohet në këtë proces”- ka thënë Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë.

Por, sipas Instituti Demokratik të Kosovës, legjislacioni në fuqi ka lënë hapësira që ky proces të zvarritet.

“Ne vlerësojmë që problemi kryesor në këtë situatë qëndron të themi mangësia, apo hapsira që ka ligji për KPK-në sepse nuk rregullon afatin se kur presidentja duhet të vendos për dekretimin e një kandidati për kryeprokuror të shtetit dhe nuk rregullon asnjë procedure, se cka duhet të ndodhë në situatat se kur shefja e shtetit nuk e dekreton një kandidat të propozuar nga Këshilli për këtë pozite andaj edhe si KDI kemi vlerësu se në fazat kur ishte duke u rregulluar ligji për KPK-në, të i jepej fund edhe kësaj”- ka thënë Vullnet Bugaqku nga KDI.

Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë është me ushtrues detyre që nga prilli i vitit 2020, meqë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk e dekretoi Blerim Isufajn në këtë pozitë.

Procesi ishte përcjellë me reagime të shumta, meqë konsiderohej se procesi i përzgjedhjes ishte shoqëruar me shkelje të shumta./ RTV Dukagjini

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img