KPK-ja nuk zmbrapset as pasi ka çuar në këmbë misionet e huaja dhe vëzhguesit me zgjedhjen e saj. Shprehet e bindur se ka zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri, me meritë dhe me të drejtë.
Ambasada gjermane, ambasada amerikane, Zyra e BE-së, vëzhguesit dhe organizatat joqeveritare kanë alarmuar pas përzgjedhjet së Kryeprokurorit të ri nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Sipas tyre, përzgjedhja e Blerim Isufajt nuk nuk është bërë në mënyrë korrekte, transparente dhe bazuar në meritë. Krejt të kundërtat i thotë KPK-ja në një përgjigje për Gazetën Express.
Nga Këshilli Prokurorial thonë se propozimi i Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, është bërë, pa iu ndarë rrugës ligjore dhe duke zhvilluar të gjitha procedurat, ashtu siç parashihen.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka zhvilluar të gjitha procedurat e parapara dhe në përfundim ka propozuar për emërim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit z. Blerim Isufaj, procedura këto, të cilat janë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.
KPK-ja thotë se e ka përmbushur kushtin për të qenë transparent procesi i përzgjedhjës së Kryeprokurorit të ri. Misionet diplomatike dhe vëzhguesit, që në fakt e kritikuan procesin, Këshilli Prokurorial i falëndëron për monitorim.
“Mbi të gjitha, KPK-ja ka treguar një transparencë të madhe publike, e cila dëshmohet me rastin e transmetimit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit në RTK, publikimin në uebportal të të gjitha koncept-dokumenteve të kandidatëve dhe pjesëmarrjes aktive në takime dhe gjatë intervistimit të kandidatëve të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, gjë që ju jemi shumë mirënjohës dhe i falënderojmë”.
Si përfundim, KPK-ja në përgjigjen për Gazetën Express, e shpall procesin legjitim, duke e veshur me të gjitha ato, që misionet dhe vëzhguesit thanë se i kanë munguar këtij procesi.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se ky proces është plotësisht legjitim, sepse është përcjellë me objektivet, me transparencë, me gjithëpërfshirje dhe është bazuar në meritokraci”.
Më 6 prill, ky këshill unanimisht zgjodhi për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn, i cili ka qenë në krye të Kryeprokurorisë Speciale, e më herët edhe udhëheqës i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Tani pritet që Presidentja e vendit ta dekretojë ose jo zgjedhjen e KPK-së. /Express/