Largimi i futbollistëve nga grupmoshat e ndryshme të Kombëtares së Kosovës është bërë një “trend” kohëve të fundit.
Disa javë më parë, “Dardanët” mbetën pa dyshen Mirlind Daku e Arbnor Muja, të cilët, të pakënaqur, iu bashkuan Kombëtares shqiptare.
E ftesën e trajneri Afrim Tovërlani duket se e ka refuzuar së fundmi futbollisti Drilon Hazrollaj, shkruan “Gazeta Express”.
Kjo nuk është e tëra pasi në telashe me lojtarë është edhe Kosova U-19.
Larson Ferati është larguar nga Kombëtarja U-19 dhe vendimin e tij e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa ka shpjeguar se arsyeja e tërheqjes për momentin nga “Dardanët e rinj” është për shkaqe personale.
“Përshëndetje dashamirë te futbollit, permes këtij postimi dua të i’u njoftoi juve dhe Federatën e Futbollit te Kosovës se për shkaqe personale terhiqem për momentin nga Kombtarja e Kosoves U19”.
“Dua të falenderoi Federatën e Futbollit të Kosovës dhe te gjithë atyre që më dhanë mundësin qe të jem pjesë e gjeneratave te përfaqesueses. Shokëve dhe Stafit i’u dëshiroi shumë suksese në kualifikimet që do të mbahen në Malta. Me respekt Larsoni”, ka shkruar futbollisti i ekipit U-19 i Bayer Leverkusenit.
Ka zëra se Ferati mund t’i bashkohet ekipit të të rinjve të Kombëtares shqiptare.
Dhjetëra futbollistë kosovarë në të kaluarën janë larguar nga ekipet kombëtare, duke iu bashkuar kryesisht Shqipërisë, apo edhe vendeve të tjera.
Shqetësues është fakti se po largohen lojtarët pasi kanë luajtur paraprakisht për Kosovën, pasi lojtarët me emër nuk po vijnë fare të luajnë për “Dardanët” duke i pritur apo duke preferuar t’i përfaqësojnë vendet ku janë lindur e rritur, shkruan “Gazeta Express”.
E Federata e Futbollit të Kosovës herë e vë fajin tek lojtarët, e herë tek Federata Shqiptare e Futbollit, që po ua merr lojtarët, pa shikuar alternativa se si t’i josh lojtarët e rinj që t’i bashkohen Kosovës dhe se si t’i bllokojë lojtarët që i ka tashmë në gjirin e saj, të cilët po largohen një pas një.
Pakujdesia dhe përgjumësia e shtëpisë së futbollit kosovar po bën që t’i humbim lojtarët që potencialisht mund të ishin pjesë e rëndësishme e ekipit A të Kosovës në të ardhmen. /Gazeta Express/