Site icon PrishtinaPress

Kosovë – Rumani 6:0

Kombëtarja e Kosovës nuk ka arsye të mos besojë në fitore në ndeshje me Rumaninë këtë të premte.

“Dardanët” nuk e nisën aq mirë kampanjën kualifikuese të Euro 2024 pasi i regjistruan dy barazime, me Izraelin e me Andorrën dhe aktualisht i kanë dy pikë.

Nga ana tjetër, Rumania i mblodhi gjashtë pikë në të njëjtën periudhë pasi i mundi Andorrën dhe Bjellorusinë.

E pasnesër përballë njëra-tjetrës do të jenë dy Kombëtaret që e synojnë vendin e dytë në Grupin I, i cili çon në Evropianin e ardhshëm.

Kosova do ta ketë një ekip shumë të pasur dhe me lojtarë më cilësore se Rumania në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Dardanët” do t’i kenë plot gjashtë futbollistë që ishin pjesë e klubeve të Top 5 ligave më të forta në Evropë në edicionin 2022/23.

Samir Ujkani (Empoli – Serie A), Amir Rrahmani (Napoli – Serie A), Mërgim Vojvoda (Torino – Serie A), Edon Zhegrova (Lille – Ligue 1), Vedat Muriqi (Mallorca – La Liga), Elbasan Rashani (Clermont – Ligue 1).

Duhet cekur se edhe Arijanet Muriç e siguroi me Burnleyn rikthimin në Premierligë dhe Leart Paqarada do të luajë në Bundesligë me Kolnin në sezonin e ri, shkruan “Gazeta Express”.

Nga ana tjetër, për ndeshjen e së premtes, rumunët nuk do ta kenë asnjë lojtar që luan në ligat më të forta evropiane.

Vlad Chiriches ra me Cremonesen nga Serie A, Razvan Marin i Empolit është i lënduar, kurse Andrei Ionut Radu ra me Auxerren nga Ligue 1.

Tek Rumania, dy futbollistët Radu Drăgușin George e Alexandru Pușcaș luajtën me Genoan në Serie B, por që e siguruan inkuadrimin në Serie A.

Prandaj, rumunët kanë arsye të jenë të shqetësuar për faktin se ekipi kosovar është superior ndaj atij të tyre.

Duam pikë në Kosovë dhe në Zvicër, por Kombëtarja e Rumanisë aktualisht nuk e ka asnjë futbollist nga Top 5 kampionatet në Evropë!”, shkruan mediumi rumun “sport.ro”.

Pra, Kosova është më cilësore nëse i shikojmë lojtarët individualisht, por kjo nuk i jep avantazh të madh ekipit dardan, i cili duhet ta tregojë veten në fushën e blertë, 11 kundër 11, përpara tifozëve “Dardanët”, në kërkim të fitores së parë në këto eliminatore.

E më pas, Kosova do ta kërkojë një tjetër fitore pas tri ditësh kundër Bjellorusisë në Hungari, më datën 19 të këtij muaji.

Exit mobile version