I pyetur për vendndodhjen e pikturave, ai thotë: “Ishin falsifikime, i shita 150 euro në pazarin e plaçkave”. Ai nuk ka zbuluar bashkëpunëtorin e tij, shtetas shqiptar
Në tetor 2020, pati ndodhur një vjedhje në Weinfelden në Thurgau. Dy persona kishin hyrë në një vilë dhe po kërkonin sende me vlerë, transmeton albinfo.ch. Por puna nuk shkoi siç ishte planifikuar: pronari i shtëpisë u kthye për habi, në shtëpi.
Ata pasataj kanë vepruar me shpejtësi dhe e kanë mbërthyer 80-vjeçarin. Siç shkruan “Thurgauer Zeitung”, njëri prej të dyve ka kërcënuar pronarin. Nëse nuk do të tregonte se ku i ruante pikturat e Pikasos, ai do t’i priste veshin.
Pasi gjetën atë që kërkonin, të dy u larguan nga shtëpia, duke e lënë pronarin të lidhur. Grabitësit vodhën sende me vlerë prej 75,000 CHF.
Njëri nga të dy, me shtetësi të dyfishtë kosovare dhe serbe, tani ndodhet para Gjykatës së Qarkut Weinfelden. Ai qe arrestuar në një tjetër vjedhje në dhjetor të vitit 2021, përcjell albinfo.ch. Një gjurmë e ADN-së kishte vërtetuar përfshirjen e tij në vjedhjen e pikturave të Pikasos.
Në gjykatë ai pranoi se kishte hyrë në vilë. Por ai e kishte bërë këtë nga nevoja: kishte humbur kursimet duke luajtur poker dhe nuk dinte si të udhëtonte për në atdheun e tij.
“Ne kishim frikë për jetën tonë sepse kishte armë të shumta në atë shtëpi,” thotë ai. Prandaj ai dhe shoku i tij e kishin lidhur plakun. Ai nuk dëshiron të tregojë emrin e kolegut të tij shqiptar, përndryshe do të vritej.
I pyetur për vendndodhjen e pikturave, 37-vjeçari pohon: “Ishin falsifikime, i shita 150 euro në pazarin e plaçkave”.
Por gjykata nuk është bindur nga deklaratat e tij. Kështu, ai u dënua me katër vjet e gjysmë burg efektiv. Kosovarit gjithashtu i është shqiptuar masa e dëbimit nga vendi për dhjetë vjet, transmeton albinfo.ch. Ai duhet të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore dhe 25680 franga të tjera.