Duke u bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se kreditë mbeten kategoria dominuese e aseteve të sektorit bankar, me pjesëmarrje prej 63,3 për qind.
“Në qershor 2016 vlera e gjithsej kredive arriti në 2.17 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 8.4 për qind. Përshpejtimi i rritjes së aktivitetit kredidhënës, sipas anketës së kreditimit bankar, mund të jetë nxitur si nga ana e ofertës, gjegjësisht përmirësimi i kushteve të kreditimit ndaj ekonomive familjare, ashtu edhe nga ana e kërkesës për kredi nga ndërmarrjet dhe ekonomitë familjare”, thuhet në raportin e fundit të stabilitetit financiar të BQK-së.
Aty më tutje thuhet se pjesa më e madhe e kredive të sektorit bankar vazhdon të përbëhet nga kreditë për ndërmarrje, të cilat përfaqësojnë 64,8 për qind të gjithsej kredive, ndërsa kreditë për ekonomitë familjare përfaqësojnë 35,0 për qind të gjithsej kredive.
Po ashtu edhe në vendet e rajonit kreditë ndaj ndërmarrjeve dominojnë strukturën e gjithsej kredive. “Për të dytin vit me radhë zgjerimi i kreditimit ndaj ekonomive familjare ka dhënë kontributin kryesor në rritjen e gjithsej kreditimit në vend. Kreditë për ekonomitë familjare shënuan rritje vjetore prej 15,2 për qind, që i atribuohet rritjes së lartë të kredive të reja konsumuese. Ndërsa, kreditë e reja hipotekare që përfaqësojnë 14,8 për qind të gjithsej kredive të reja ndaj ekonomive familjare, shënuan ngadalësim të theksuar të rritjes në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 krahasuar me periudhën paraprake. Ky trend ndërlidhet me raportimet e bankave në anketën e kreditimit bankar se ka pasur kërkesë më të lartë për kredi konsumuese krahasuar me kreditë hipotekare”, thuhet në raportin e BQK-së.
Më tej aty thuhet se kreditë ndaj ndërmarrjeve në qershor 2016 shënuan rritje vjetore prej 5,2 për qind, ngjashëm me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pavarësisht rënies vjetore të kredive të reja për ndërmarrje prej 17,4 për qind, shkruan zeri.
“Rënia e kredive të reja përkon me rezultatet e anketës së kreditimit bankar sipas së cilës aktiviteti kreditues ndaj ndërmarrjeve është karakterizuar me shtrëngim të kushteve të kreditimit nga ana e bankave përmes aplikimit të normave më të larta të interesit, rritjes së kërkesave për kolateral dhe zvogëlimit të afatit të maturimit në kreditë e ofruara”, thuhet në raportin e BQK-së.
Kosovarët me miliarda euro të ‘zhytur’ në kredi
Deri në fund të muajit qershor të këtij viti shuma totale e kredive që qytetarët i kanë nëpër banka komerciale në Kosovës ka arritur në 2 miliardë e 170 milionë euro.