Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), ka publikuar raportit e parë të Monitorimit “Karta e Vlerësimit”.
Raporti u publikua në Kuvendin e Kosovës, me prezencën e përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ministrive përkatëse, institucioneve tjera, agjencive ndërkombëtare, organizatave jo qeveritare si dhe partnerëve të tjerë.
Sipas këtij raporti, Kosova vlerësohet me nota të ulëta sa i përket mirëqenies së fëmijëve, mbrojtjes së tyre si dhe shëndetit.
Mirëqenia sociale u notua me notë 2.6, mbrojtja e fëmijëve me 2.5 dhe shëndeti i fëmijëve me 2.25.
Po ashtu u vlerësua arsimi me notë 2.25, zhvillimi në fëmijërinë e hershme me 2.25 si dhe drejtësia për të mitur 2.0.
Qëllimi kryesor i KOMF përmes këtij raporti është realizimi i monitorimit të pavarur të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të fëmijëve në baza vjetore, të bazuar në fakte dhe dëshmi. Raporti ofron të dhëna për gjendjen e të drejtave të fëmijëve, nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe jep rekomandime, të cilat priten të mbështesin përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Fushat në të cilat është analizuar progresi për politikat, legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe zbatimin e tyre janë: Mirëqenia sociale, Mbrojtja e fëmijës, Shëndeti i fëmijës, Zhvillimi në fëmijërinë e hershme, Arsimi dhe Drejtësia për të mitur.
“Vlerësimi i fushave në këtë raport bazohet në sistemin e notimit sikurse notimi i nxënësve në shkollat e Kosovës, nga nota një deri në notën pesë. Raporti është hartuar nga 24 bashkë-autorë, ekspertë nga organizatat anëtare të KOMF, të cilët kanë ofruar vlerësimin eN fushave përmes argumenteve konkrete që mbështesin notën e dhënë. Raporti me të gjetura dhe rekomandime u prezantua nga autorë të raportit, z. Gani Lluga, z. Besim Kodra, znj. Remzije Krasniqi dhe znj. Fatmire Haliti”, njofton KOMF.