Korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit është një nga faktorët, që po ndikon në përkeqësim të gjendjes së ambientit për të bërë biznes.
Sikurse që thuhet edhe në Raportin e Progresit për Kosovën, kur sundimi i ligjit nuk ekziston, nuk ka transparencë në dhënien e tenderëve, kur bëhen keqpërdorimet më të mëdha, atëherë edhe mundësia për të pasur konkurrencë të lirë në tregun vendor është gjithnjë e më e vogël.
Analisti Dardan Grapci tha për “Kosova Sot” se gjithçka ndryshoi, kur Kosova shpalli pavarësinë, kur në atë kohë bëhet kryeministër Hashim Thaçi. Sipas tij, korrupsioni filloi të ngritet në përqindje.
“Sot në tregun kosovar thuajse nuk ka fare konkurrencë në biznes, si dhe tregu i biznesit në vend se të rritet, dita-ditës po zvogëlohet”. Analisti Grapci thotë se sundimi i ligjit nuk ekziston, nuk ka transparencë në dhënien e tenderëve dhe bëhen keqpërdorime të mëdha.
Analisti Grapci iu referua edhe shembujve konkretë, që, sipas tij, dëshmojnë ngulfatjen ekonomike.
Ai përmend kompani si “Devollët”, apo kompania e zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi “Elkos”, që, sipas tij, po e shkatërrojnë ekonominë e brishtë të Kosovës, falë lidhjeve me politikën në pushtet.
Pa sundim ligji, nuk ka ecje ekonomike
Analisti Florim Rrudhani për “Kosova Sot” tha se korrupsioni dhe krimi shkaktojnë stagnim në proceset zhvillimore.
“Kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian, për liberalizimin e vizave nuk ka vullnet politik për t’u përmbushur, për shkak se institucionet janë të kapura nga krimi dhe korrupsioni, përgjegjësia më e madhe është e Qeverisë, dhe deputetëve të Parlamentit të Kosovës për mosqasjen serioze ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi ai.
Analisti Rudhani uron që Kosova të lirohet nga prangat e krimit dhe korrupsionit dhe të punojnë më konkretisht dhe më fuqishëm në sundimin e ligjit.
Eksperti i ekonomisë, Nehat Emrullahu, tha për “Kosova Sot” se korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit është një nga faktorët, që ndikojnë në përkeqësim të gjendjes së ambientit për të bërë biznes.
Sikurse që thuhet edhe në Raportin e Progresit për Kosovën, kur sundimi i ligjit nuk ekziston, nuk ka transparencë në dhënien e tenderëve, kur bëhen keqpërdorimet më të mëdha, atëherë edhe mundësia për të pasur biznese dhe konkurrencë të lirë në tregun mungon.
“Raporti i Progresit e gjen ‘mirë të parapërgatitur’ klasën politike, vërejtjet pothuajse janë të njëjtat, sistemi gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar, si dhe Kosova është në fazat e hershme të zhvillimit të një ekonomie funksionale (pjesa mbi zhvillimin ekonomik) është pjesë e vazhdueshme e Raporteve të Progresit nga Komisioni Evropian (KE). Prandaj, edhe shqetësimet janë të shkallës normale”, ka theksuar ai.
Korrupsioni zhvat investimet
Emrullahu thotë se familjarizimi me këtë situatë na bën të gjithëve të njëjtë si pozitë dhe opozitë, gjithashtu edhe qytetarët.
“Pakënaqësia qytetare vazhdon në rritje, transparenca nuk mund të sigurohet pa pavarësimin dhe fuqizimin e Gjyqësorit”. Veç të tjerash, Emrullahu konstaton se vullnet politik nuk ka, sepse pavarësimi i sistemit gjyqësor nënkupton mbylljen e burimeve financiare dhe penalizimin e vetvetes dhe partnerëve.
“Prandaj, sistemi gjyqësor mbetet i njëjti si në përbërje edhe në veprim (me ndryshime minore)”, tha ai.
Veç saj shtoi se reformat në gjyqësi nuk janë dhe nuk mund të jenë prioritet edhe për një kohë të gjatë.
“Presioni eventual i institucioneve ndërkombëtare (partnerëve të vazhdueshëm dhe besueshëm) mund të krijojnë ndryshime pozitive dhe të sigurojnë qëndrueshmëri dhe hapërim drejt integrimeve në BE dhe institucionet e tjera relevante”.
Për analistin Emrullahu, mungesa e një strategjie zhvillimore, e cila duhet të jetë publike dhe e pranueshme për qytetarët mungon.
“Koncepti konvencional nuk duket se po ndërron, investime në infrastrukturë sipas zonave zgjedhore ose përfitime nëpërmes partnereve”. Ai thotë se projektet e mëdha sigurisht që ofrojnë mundësi më të mëdha për përfitime si të punëkryesve po ashtu edhe të partiakëve.
“Asfalti dhe minierat e përpunimit të rërës janë gllabëruesit më të mëdhenj të buxhetit dhe kjo është duke ndodhur në vazhdimësi”, vijoi ai. Sipas Emrullahut, investimet kapitale të nivelit qendror dhe atij lokal duket se mbetën joshëse për të korruptuarit.
“Kjo plagë e hapur nuk shërohet vetëm me fjalë premtuese, këtë dukuri mund ta largojmë vetëm e vetëm me vendosmëri politike”, potencoi ai.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet fuqishëm të përcaktohet për zhvillim ekonomik, përkrahjen dhe jo zhvatjen e bizneseve, rivlerësimin e politikave fiskale, menaxhimin e drejtë të projekteve kapitale, si: ‘Brezovica’, ‘Kosova e Re’, investimet në hekurudhë, PTK-në e ‘harruar’, përkrahjen e prodhimit dhe eksportin e produkteve kosovare, përkrahjen e firmave shërbyese, dhe së fundmi, duke u dhënë përkrahjen e fuqishme ekspertëve dhe profesionistëve e jo matrapazëve.