Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka thënë se vendimi i Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të rinovuara KM, është hapi që Uashingtoni nuk ka dashur ta shohë të ndodh.
Ai ka thënë se vendimi i Kosovës nuk është në përputhje me letrën dhe frymën e marrëveshjeve të arritura në fund nëntorin e vitit të kaluar.
“Fatkeqësisht, ky është pikërisht ai lloj hapi që nuk kemi dashur ta shohim. Kur kam qenë në rajon, javën e kaluar, e kam bërë shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara, duke punuar me partnerët evropianë, duan të dalin nga punët e diplomacisë së krizave – ne, thjesht, kalojmë nga një krizë në tjetrën – dhe të ecim përpara në dialogun që udhëhiqet dhe ndërmjetësohet nga BE-ja, drejt normalizimit që bazohet në njohje reciproke. Mendoj se hapat e 24 orëve të fundit, që ka shpallur Prishtina, nuk janë në përputhje as me letrën dhe as me frymën e marrëveshjeve në fund të nëntorit, të cilat kanë shmangur një krizë të mëparshme. Mendojmë se asnjëra palë nuk duhet të ndërmarrë veprime të njëanshme tani”, ka thënë Chollet për REL.
Chollet ka thënë palët duhet të kenë rrugë të koordinuar përpara.
“Ne duhet të kemi një rrugë të koordinuar përpara, në mënyrë që këto gjëra të mos i përshpejtojnë llojet e krizave që ne me të vërtetë duhet t’i shmangim. [Ato] e largojnë vëmendjen tonë nga puna e rëndësishme e dialogut. Të premten, këtë javë, do të ketë takime të rëndësishme , ku do të mblidhen këshilltarët për siguri kombëtare të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, së bashku me përfaqësuesin e BE-së [Mirosllav Lajçak] dhe me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kemi folur shumë për rëndësinë e këtyre takimeve dhe për disa detaje kur kam qenë në rajon javën e kaluar – në Prishtinë dhe Beograd. Ne, vërtet, duam që kjo të ketë sukses. Dhe, ky lloj njoftimi krijon një shpërqendrim dhe mund të çojë në një krizë që e bën gjithë këtë përparim shumë më të vështirë”, ka thënë në fund Chollet.