Site icon PrishtinaPress

Kosova s’e di datën!

Derisa Serbia dhe Mali Zi prej dje e kanë të qartë afatin e mundshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përkatësisht deri në vitin 2025, Kosovës me Strategjinë e Zgjerimit të BE-së nuk i është përcaktuar ndonjë afat i qartë kalendarik për anëtarësim të mundshëm, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Në anën tjetër Shqipëria dhe Maqedonia në këtë Strategji përmenden si dy shtete për të cilat do të përgatiten rekomandime për nisjen e negociatave, ndërsa për Bosnjë e Hercegovinën theksohet mundësia e statusit të kandidatit.

Derisa zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian pozitën e Kosovës e shohin si të barabartë me shtetet e tjera njësoj nuk konsiderojnë njohësit kosovarë të çështjeve të integrimeve evropiane.

Sipas këtyre, Kosova gjendet në këtë pozitë si pasojë e mosnjohjes së saj nga pesë shtetet anëtare të BE-së.

Përndryshe, dhjetë vjet më parë Kosova ka shpallur pavarësinë përderisa ish-kryeministri i vendit në atë kohë, Hashim Thaçi, tashmë president, deklaronte vazhdimisht se shumë shpejt shteti më i ri do të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane.

Madje, saktësisht para dhjetë vjetëve ai nuk e zbulonte as datën se kur Kosova do ta shpallë pavarësinë, duke deklaruar shkurtimisht: Kosova e di datën. Dhjetë vjet më pas Kosova nuk e di datën se kur do të mundë të anëtarësohet në BE, njëjtë siç e dinë shtetet fqinje si Serbia e Mali i Zi…

Exit mobile version