Mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme në muajt e ardhshëm po bëhet gjithnjë e më e madhe, sidomos ditëve të fundit kur partnerët në koalicion janë duke i matur pulsin njëra- tjetrës me anë të deklaratave publike.
Një status në Facebook nga i pari i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka nxitur dyshime se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të prishet koalicioni mes partisë së tij, LDK, dhe partnerit të madh, PDK.
“Rrugëdalja nuk është të ikim nga përgjegjësia, të bëhemi rob i sondazheve, sepse kur i kemi hyrë kësaj pune jemi marrë vesh ta çojmë deri në fund”, shprehej Mustafa në një deklaratë vikendin e kaluar.
Nga ana tjetër, edhe Kadri Veseli që tash e drejton PDK-në prej se Hashim Thaçi u zgjodh President i vendit në prill të vitit të kaluar, në disa deklarata të tij nuk ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve.
Veseli ka qenë më i qartë kur ka folur për pamundësinë e koalicionit qeveritar për të vendosur në çështje të mëdha.
Në këtë pikë, Veseli ka aluduar në marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e cila që nga nënshkrimi i saj në gusht të vitit 2015 është duke pritur në sirtarë të qeverisë, meqë partnerët e koalicionit nuk janë të sigurt se do ta kenë mbështetjen e duhur prej 80 votave në Kuvend.
Përveç demarkacionit, edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe si dhe transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës janë çështje të cilat ky koalicion ka dështuar t’u gjejë zgjidhje deri më tani.
Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një deklaratë për KALLXO.com, paralajmëron një javë interesante të zhvillimeve politike.
“Është një javë interesante dhe ta shohim se si do të përfundojnë, do të ketë zhvillime interesante që përfshijnë demarkacionin”, tha ai.
Për ta diskutuar demarkacionin, shefi i Hazirit në parti, kryeministri Mustafa, aktualisht gjendet në Bruksel, siç është raportuar, në përpjekje për ta bindur Bashkimin Europian që ta pezullojë kushtin e vënë për ratifikim të demarkacionit në këmbim të liberalizimit të vizave për kosovarët.
Megjithatë, për Hazirin marrëveshja për demarkacion duhet të shkojë në Kuvend për t’u votuar meqë kjo, siç tha ai, është edhe kërkesë e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, për drejtuesit e koalicionit Veseli e Mustafa.
Por Haziri tha se aktualisht nuk ka as një kërkesë nga partneri i koalicionit PDK-ja, që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
“Ne e kemi një marrëveshje me PDK-në dhe ajo marrëveshje nuk është kërku që të diskutohet dhe as eventualisht të bisedohet për një skemë të re parazgjedhore. Përderisa nuk kemi, ne qëndrojmë në marrëveshjen e vjetër”, tha Haziri që aktualisht është kryetar i komunës së Gjilanit.
Duke folur për datat e përmendura shpesh në media si të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, Haziri tha se “kjo është jashtë marrëveshjes”.
“Nuk e di kur i bie dhe çka i bie 4 qershori. Nëse sot mund ta planifikojmë ose ta imagjinojmë ndonjë datë eventuale, pas mocionit të mosbesimit, janë 40 ditë që mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme ose me marrëveshje rishikohet data zgjedhore dhe në parlament propozohet një datë për zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Shukri Buja, i cili ka qenë gjatë muajve të fundit më i zëshmi brenda koalicionit për ndërprerjen e bashkëpunimit qeveritar PDK- LDK insiston se fundi i koalicionit nuk ka alternativë.
“Realisht në fund të kësaj jave nuk e besoj që do të ndodh por kjo çështje do të ndodh këtyre ditëve. Së paku kështu po besoj sepse nuk po shihet që ka zgjidhje tjetër”, tha Buja për KALLXO.com
“Nëse do të duhet të ndodh do të ndodhë në fund të kësaj jave ose javës tjetër prishja e koalicionet”, shtoi Buja.
Ai është i bindur se “fundi i muajit maj fillimi i qershorit” do t’i gjejë votuesit kosovarë para kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e rinj në Kuvend.
“Vetëm në këtë formë mund të bëhet zgjidhje për shumë probleme. Nuk po ka zgjidhje, dhe rruga e vetme janë zgjedhjet e parakohshme”, shtoi Buja.
“Duhet të bëjmë zgjidhjen përmes zgjedhjeve sepse është e vetmja mundësi t’i hapim rrugë proceseve për Kosovën sepse janë bllokuar, si dhe t’i hapim rrugën edhe mundësisë për ecje të lirë”, tha ai duke iu referuar liberalizimit të vizave.
Por në nivelin vendimmarrës, PDK duket se ka zgjedhur të presë.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, nuk deshi të komentojë për KALLXO.com rreth datave të përmendura për zgjedhjet e reja të mundshme që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Unë nuk po e dijsha këtë datë. Unë nuk di. Vetëm prej mediave çka po lexoj sen nuk po di për këtë çështje. Unë i di datat që i dinë të gjithë qytetarët e Kosovës, atë që e di edhe Brukseli… nuk muj kurrgjo me thanë”, tha Pajaziti për KALLXO.com.
Nga kampi opozitar, kryetari i Asamblesë Kombëtare të NISMa-s, Jakup Krasniqi, nuk pret që zgjedhjet parlamentare të mbahen shpejt në Kosovë.
“Unë nuk besoj që kaq shpejt mund të ndryshojnë gjërat. Gjithçka është e mundshme. Tani kemi hyrë në vijë zgjedhore për zgjedhjet komunale dhe nuk është lehtë të paramendohet kjo çështje për faktin pse sipas bindjes sime kjo qeveri moti është dashtë të shkojë dhe të shkohet në zgjedhje. Por këtyre nuk u besohet”, tha Krasniqi për KALLXO.com.
Krasniq tha se në rast të zgjedhjeve, opozita do ta sjellë ndryshimin në vend.
“Ne mendojmë që opozita ta sjellë ndryshimin në vendin tonë. Ne jemi vetëm që opozita të jetë e bashkuar”, tha Krasniqi.
Në të njëjtën kohë, Jakup Krasniqi, mohoi mundësinë e një afrie të re të partisë së tij me PDK-në.
“S’ka mundësi, nuk ka mundësi…Qëndrimi im është shumë i qartë dhe ju e dini kahmoti, unë nuk kam problem me u taku me secilin individ, por për këtë çështje nuk kemi biseduar”, tha ai duke iu referuar një fotografie të publikuar ditë më parë nëpër mediat e Kosovës ku ai shihet në një lokal diku në Shqipëri duke biseduar me deputetin e PDK-së, Adem Grabovci./Kallxo.com/