3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Kosova pa Sistem Informativ Shëndetësor, vështirësitë e bashkëpunimit mes mjekëve dhe pacientëve

Me plot dokumente mjekësore nga kontrollet e ndryshme që kishte bërë më herët te mjekët në ortopedi, otorinolaringologji e endokrinologji, Luljeta Zeqiri po priste në radhë që të kryente një kontroll në ambulancën qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Ajo, sikurse shumë pacientë të tjerë, ishte detyruar t’i merrte me vete të gjitha dokumentet, të cilat pasqyrojnë shëndetin e përgjithshëm të saj, pasi në Kosovë nuk funksionon Sistemi Informativ Shëndetësor (SISH).

“Për mua, bartja e këtyre dokumenteve është shumë e lodhshme. Edhe tash kam një problem tjetër shëndetësor dhe më duhet t’i tregoj mjekut për të kaluarën…”, rrëfen Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

Ajo thotë se në mungesë të sistemit i ka të ruajtura në shtëpi të gjitha raportet dhe dokumentet e vizitave mjekësore, të bëra në pesë vjetët e fundit.

Njohësi i politikave shëndetësore, specialisti Valdet Hashani, thotë se mungesa e një databaze për pacientë paraqet pengesë të madhe në punë.

Hashani punon në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë dhe thotë se i merr shumë kohë për të kuptuar historikun shëndetësor të një pacienti.

“Nëse do të kishte një sistem, [pacienti] paraqitet te mjeku, caktohet termini… dhe ti e di saktë se sa pacientë do t’i kesh. Ky është një lehtësim për mjekun. Unë sot [29.03.2023] kam pasur 68 pacientë – 30 prej tyre kanë qenë për herë të parë dhe nuk kam asnjë informacion për ta. Kështu, duhet të hysh dhe ta marrësh anamnezën, historinë familjare. Për mjekun është rraskapitëse, është shumë e lodhshme. Po të kishte Sistem të Informimit Shëndetësor, me një klik, mjeku familjar do t’i kishte të gjitha të dhënat e pacientit”, thotë Hashani për Radion Evropa e Lirë.

Mosfunksionimi i SISH-it

Sistemi Informativ Shëndetësor bën gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe privat shëndetësor.

Për të përmirësuar shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë (MSH), në vitin 2011, ka provuar fillimin e zbatimit të këtij sistemi në tri faza.

Dy fazat e para planifikohej të përfshinin pilotimin dhe implementimin e sistemit në 30 për qind të territorit të vendit dhe vlerësimin e pilotimit në fund të vitit 2014.

Ndërsa, faza e tretë përfshinte implementimin e sistemit në gjithë territorin e vendit, me synim që të realizohej deri në vitin 2020.

Mirëpo, as tash në vitin 2023, sistemi në fjalë nuk është realizuar.

Cilat janë arsyet?

Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë (ZKA) ka kryer një auditim për periudhën 2010-2017 lidhur me zbatimin e Sistemit Informativ Shëndetësor, si projekt i Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas këtij auditimi, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur ta realizojë planin për këtë sistem.

Në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë më 29 mars, 2023, Zyra Kombëtare e Auditimit përmendi disa arsye të dështimit të sistemit:

“MSH-ja ende nuk i ka funksionalizuar kartelat profesionale shëndetësore, të cilat nevojiten për identifikimin dhe autorizimin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor”.

Sipas ZKA-së, shpërndarja e infrastrukturës fizike ka munguar në të gjitha institucionet shëndetësore, në të cilat ka qenë e paraparë, dhe po ashtu, sipas saj, nuk ka pasur riorganizim të të dhënave ekzistuese, me qëllim që ato të futeshin në sistemin e ri.

Çka thonë në Ministrinë e Shëndetësisë?

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky sistem është i domosdoshëm për shëndetësinë në Kosovë, për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore dhe për vetë sistemin shëndetësor.

Ai thotë se nuk di shumë detaje për mosrealizimin e projektit, por shton se ministria që ai aktualisht drejton, është duke punuar në këtë drejtim. Sipas tij, pas pak kohe do të mund të shihen edhe rezultatet.

“Tash, për të mos pasur asnjë dyshim në hapat e vazhdueshëm, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, është duke u bërë një studim fizibiliteti i thukët, i cili do të përfundojë në muajin qershor dhe i cili do të na tregojë të gjitha rekomandimet dhe hapat konkretë se si do t’i qasemi ndërtimit të këtij Sistemi Informativ Shëndetësor, që të mos dështojmë edhe një herë. Me përfundimin e këtij studimi të fizibilitetit, nga qershori, menjëherë dhe paralelisht, jemi duke i bërë të gjithë hapat që të përgatitemi që, pas rekomandimeve, të fillojmë me implementimin e këtij sistemi shumë të rëndësishëm”, thotë Vitia.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tash nënkryetar i Komisionit parlamentar për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, thotë se mundësi buxhetore dhe investime në këtë rrafsh ka pasur, por se rezultatet kanë munguar.

“Kanë ndodhur investime milionëshe, por qe tre vjet duke u shtyrë me të njëjtat interesa njerëzit, të cilët e udhëheqin pjesën administrative të MSH-së dhe që kanë ndikim te ministri ose te politikat e ministrit. Nuk kanë lëvizur asnjë milimetër – të them – për funksionimin e këtij sistemi”, thotë Zemaj për Radion Evropa e Lirë, por nuk specifikon më shumë.

Ai thotë se gjatë kohës sa ai ka qenë ministër, ka qenë kohë pandemie dhe se nuk është marrë me investime kapitale.

Sipas tij, me mungesën e këtij sistemi, jeta e pacientëve vështirësohet dhe keqpërdorimet janë më të mëdha.

Humolli nga OBSH-ja: Kosova duhet të ketë SISH-in

Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Sistemi Informativ Shëndetësor kërkon shumë kohë për të qenë gjithëpërfshirës.

Sipas saj, secili shtet është i obliguar që ta ketë Sistemin Informativ Shëndetësor.

“Sistemi i Informimit Shëndetësor është i domosdoshëm dhe duhet ta ketë edhe Kosova. Kosova ka pasur të dhëna edhe më herët, por tash është koha që të bëhet kompaktibil me tërë sistemin në Evropë dhe botë, sidomos me Evropën”, konsideron Humolli.

Investimet për SISH-in

Në vitin 2010, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka hartuar dhe aprovuar strategjinë për Sistemin Informativ Shëndetësor në Kosovë (2010-2020).

Për ta zbatuar atë, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Luksemburgut kanë nënshkruar një marrëveshje dypalëshe, me obligime dhe përgjegjësi për secilën palë.

Sipas raportit të ZKA-së, Qeveria e Luksemburgut do t’i kryente obligimet e saj financiare për implementimin e projektit në vlerë prej 6.5 milionë eurosh, ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbështeste dhe monitoronte zbatimin e projektit dhe do të siguronte kontributin e saj në vlerë prej 1.3 milion eurosh.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Ministrinë e Shëndetësisë se sa para janë shpenzuar për projektin e nisur, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje. Transmeton PrishtinaPress.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img