0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

“Kosova nuk ka pasur kurrë Qeveri më të mirë” – Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 100-të të Qeverisë

Fjalimi i plotë i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 100-të të Qeverisë nën drejtimin e tij:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe kolegë të Kabinetit Qeveritar,

Sot po e fillojmë mbledhjen e 100-të të kësaj qeverie, përafërsisht për 80 javë sa jemi në qeverisje, kemi mbajtur 100 mbledhje dhe si moment është i përshtatshëm për t’i veçuar disa nga të arriturat kryesore, dukuritë jo të mira, të trashëguara nga qeveritë e kaluara, që i kemi ndalur, sfidat sistemore, me të cilat po ballafaqohemi dhe po punojmë t’i rregullojmë dhe disa nga objektivat kryesore deri në fund të këtij viti.

Duke u udhëhequr nga zotimi ynë elektoral ‘Punë dhe Drejtësi’, ne kemi premtuar që do të zhvillojmë politika cilësore dhe do të ndërmarrim ndryshime sistemore të mirëfillta, krahas rritjes së transparencës, bashkëpunimit dhe llogaridhënies në qeverisje.

Pra, fillojmë me dukuritë negative, që janë evidentuar dhe ndaluar në të gjithë Kabinetin Qeveritar:

  • Shpenzimet e panevojshme janë ulur ose eliminuar dhe kontratat e dëmshme janë shkëputur.
  • Janë ndalur ndërhyrjet politike në proceset e emërimeve dhe është rritur cilësia e ekspertizës në Komisione Rekomanduese për procese të rekrutimit në Ndërmarrje Publike dhe pozita të tjera të larta drejtuese.
  • Janë ngrirë mbi 3 milionë euro, në kuadër të hetimeve për financim të paligjshëm dhe shpëlarje të parave.
  • Për shpronësimet e dëmshme në vitin 2021 është dërguar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal lidhur me procesin e shpronësimeve për projektin e ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, përkatësisht segmentin Kijevë – Klinë – Zahaq, për të cilën raporti i auditimit ka gjetur një shpërputhje prej mbi 12 milionë euro.
  • Është zhbllokuar rruga në Terminalin Doganor në Hanin e Elezit dhe është bërë shpronësimi i pronave për ndërtimin e rrugës shtetërore në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Elezit.
  • Është dërguar raport në prokurori për 43 milionë euro të shpenzuara në kontratat që i kemi trashëguar me vlerë totale 131 milionë euro, kinse për rregullim të shtretërve të lumenjve, e pikërisht në shumë prej atyre lokacioneve ne vazhdojmë që të kemi vërshime.
  • Janë ndërprerë projektet në fushën e efiçiencës së energjisë, që me kosto më të lartë sesa vlera e tregut, pa planifikim të duhur për arritjen e objektivit, do të rezultonin me dëmtim të lartë të buxhetit.
  • Është formuar Task Forca për parandalimin e keqpërdorimeve në subvencione për fermerët dhe është rritur transparenca në raport me shpërndarjen e subvencioneve.
  • Shumë nga produktet industriale nuk kanë qenë të inspektuara për 23 vitet e fundit, ndonëse me ndjeshmëri të lartë publike.
  • Është ndalur keqpërdorimi i buxhetit për rezervën shtetërore.
  • 70% të lëndëve/projekteve në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë në prokurori.
  • Janë raportuar qindra lëndë për keqpërdorime e shkelje ligjore në polici e në prokurori.
  • Janë anuluar qindra projekte si rezultat i mungesës së dokumentacionit teknik, posedimit të kontratës aktive apo kategorizimit joadekuat.
  • Është fituar një rast në Arbitrazhin Ndërkombëtar, ku buxhetit të Republikës së Kosovës i janë kursyer 65 milionë Euro.
  • Pastaj kemi zgjidhjen e problemit shumëvjeçar për mosnjohje të diplomave.
  • Ndalimin e operimit të institucioneve të pa licencuara dhe të pa akredituara në sektorin e shëndetësisë dhe
  • Në përgjithësi janë shlyer obligimet e trashëguara financiare ndër vite dhe është reduktuar pothuajse deri në eliminim numri i lëndëve përmbarimore.

Tani, po i paraqes disa nga sfidat, me të cilat jemi ballafaquar dhe në disa raste vazhdojmë që të përballemi ende:

  • Kemi të trashëguarit e proceseve të fragmentuara dhe të dyfishuara të planifikimit, të cilat jemi në proces të integrimit në një të vetëm, në një proces të vetëm. Po e përmirësojmë dukshëm mënyrën se si planifikojmë, zbatojmë punë dhe çka do të jetë risi për qeverisjen në Kosovë, të kemi mundësi të mbikëqyrim dhe të vlerësojmë në mënyrë shumë më objektive performancën e Kabinetit Qeveritar.
  • Kemi trashëguar jofleksibilitetin e Ligjit aktual për Zyrtarë Publik. Versioni i ri, të cilin së shpejti pritet të vijë për miratim në Qeveri, do ta rregullojë këtë.
  • Mandej kemi mungesën e politikave, strategjive dhe mekanizmave të papërshtatshme për kompetencat që i ka Qeveria.
  • Rreth 400 ligje janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, pra kanë elemente, që i bëjnë kontradiktore, rreth 400 ligje dhe natyrisht, që tash nevojiten projektligje për plotësim-ndryshim, për harmonizim e sinkronizim.
  • Kemi mungesën e sistemit, që evidenton cilësinë e zbatimit të ligjeve.
  • Pastaj domosdoshmërinë e reformës në administratë, si dhe mungesën e kapaciteteve profesionale, në masë të konsiderueshme në stafin civil, që me kompetencë do të mund të zbatonin politikat dhe të menaxhojnë me burimet.
  • Kemi mungesë të memories institucionale.
  • Pastaj sistemi i drejtësisë përgjithësisht jo efikas, meqenëse ndalimi e parandalimi i kontratave të dëmshme shpeshherë mbetet pezull në sistemin gjyqësor, i cili me raste edhe mund ta tej zgjatë gjykimin.
  • Me krizat e njëpasnjëshme, që nga fillimi i mandatit Qeveria është përballur, me atë të pandemisë, pastaj të energjisë, e tashmë edhe me krizën inflacionare. Kjo situatë ka ndikuar që planifikimi të jetë më afatshkurtër dhe burimet të fokusohen kryesisht në menaxhim të krizave.
  • Kemi edhe ngritjen e çmimeve dhe ndikimin e kësaj në pezullimet e punëve tek investimet kapitale.
  • Pastaj, pozitat e larta me ushtrues detyre, për shkak të procedurave të rekrutimit, të cilat pritet të ndryshohen pikërisht me Ligjin e ri për Zyrtarë Publik.
  • Neglizhencën, vonesat në punë dhe jo-llogaridhënia nga pjesëtarë të caktuar të administratës dhe
  • Bashkërendim jo i mirëfilltë i donatorëve.

Përkundër dukurive negative që i kemi trashëguar dhe sfidave me të cilat jemi përballur e po përballemi, si Qeveri kemi arritur më shumë suksese se çdo Qeveri e kaluar pararendëse brenda këtij 1.5 vjeçari të parë. Në vijim po i përmendi disa prej tyre:

  • Një vit e gjysmë rritje dhe antikorrupsion; qeverisje socialdemokrate me stabilitet institucional.
  • Kemi rikthyer sistemin e financave publike në binarë, duke ulur borxhin publik kundrejt bruto produktit vendor për 27%, respektivisht nga 28.7% sa ka qenë në vitin 2020, në 21% në vitin 2021. Kjo dëshmon përgjegjshmëri për paranë publike.
  • Kemi ofruar mbi 750 milionë mbështetje për qytetarët dhe bizneset, për përballje me pasojat e pandemisë, krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve.
  • Kemi rritjen ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi me 10.7 për qind, ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti, kemi 4.9 për qind të bruto produktit vendor, pasi që të zbritet inflacioni.
  • Kemi rritje enorme të të hyrave buxhetore në vitin 2021, me trend të ngjashëm për vitin 2022. Në vitin 2021, të hyrat e Doganës dhe të Administratës Tatimore të Kosovës janë rritur për 30.8% dhe 28%, respektivisht, pra tek të dyja këto rreth trefish më shumë se sa rritja e bruto produktit vendor.
  • Të hyrat e ATK-së për periudhën janar – gusht 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, janë 22.2% më të larta. Pra viti 2021 ishte vit me të arritura i suksesshëm, e në vitin 2022 jemi duke thyer rekordin e vetes. Ndër arsyet kryesore për këtë rritje është edhe përmirësimi i cilësisë së kontrolleve.
  • Kemi shlyerje të borxheve në qindra milionë euro të krijuara ndër vite.
  • Kemi bërë luftim të pakompromis të ekonomisë jo-formale, punës së padeklaruar dhe të kontrabandës. Dogana ka zbuluar 1,778 veprime të kundërligjshme në vitin që shkoi (64% më lartë sesa vitin 2020), dhe vetëm për 8 muajt e parë të këtij viti e ka arritë kuotën mesatare për muaj të vitit 2021. ATK ka parandaluar dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë prej mbi 12 milionë euro. Ndërsa, Inspektorati i Tregut ka rritur për mbi 50% numrin e inspektimeve, mbi 6 mijë sosh gjithsej.
  • Kemi bërë përkrahje të fermerëve përmes subvencioneve, që në vlerë të përgjithshme është prej rreth 100 milionë euro, dhe këto edhe grante edhe kompensim të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore që kanë goditur bujqësinë tonë.
  • Sipas ATK-së, në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa në atë pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë.
  • Kemi krijuar infrastrukturën ligjore për themelimin e Fondit Sovran.
  • Kemi vendimet për financim ndërkombëtar që kapin vlerën prej 56.7 milionë euro në formë grantesh.
  • Kemi nënshkruar Memorandumin e bashkëpunimit për lidhjen hekurudhore Prishtinë — Durrës dhe gjithashtu e kemi kaluar në Kuvend studimin e përbashkët me Republikën e Shqipërisë të fizibilitetit për këtë aks tejet të rëndësishëm kombëtar e ndërkombëtar.
  • Kemi nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëfinancimit dhe Implementimit të Projektit “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit” në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë për fushën e energjisë.
  • Qindra prodhues, eksportues e startup-e të përkrahura me dhjetëra milionë euro, mes tjerash për avancim të teknologjisë, digjitalizim, trajnime dhe certifikim të produkteve.
  • Mbi 200 biznese kanë përfituar mbi 10 milionë euro, përfshirë edhe përkrahjen e Bankës Botërore për rritje të eksportit. Eksporti në vitin që shkoi është rritur për 83.6 për qind më shumë sesa në vitin 2020, ndërkaq në muajt e këtij viti është rritur për 29.5 për qind krahasuar me vitin e shkuar. Pra, kemi rritje substanciale në këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar kur kishim rritje enorme.
  • Arsimi publik është falas edhe në nivelin universitar dhe kemi bërë mbështetje financiare për studentë dhe nxënës, si dhe rritje të përfshirjes në Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.
  • Kemi fillimin e pilotimit të arsimit dual me katër profile nga ky vit akademik.
  • Reformën ligjore dhe zhvillimin e infrastrukturës për sport, kulturë dhe rini, si dhe përmirësim i gjendjes së aseteve të trashëgimisë kulturore.
  • Kemi miratuar Strategjinë e Sigurisë së Kosovës në Qeveri.
  • Rritja e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes është për 52%. Në raport me vitin 2019, në vitin 2021 investimet në blerjet ushtarake kanë qenë 96% më të larta.
  • Kemi shtim të madh të ligjshmërisë në veri të vendit.
  • Kemi filluar Reformën në Sistemin e Drejtësisë, nëpërmjet paketës së vettingut dhe reformës në sistemin prokurorial.
  • Kemi zhvilluar luftë kundër-korrupsionit që përfshinë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pakon e ligjeve kundër-korrupsion, si dhe Rregulloren për Sinjalizim, përveç veprimeve konkrete në teren.
  • Kemi themeluar dhe funksionalizuar Gjykatën Komerciale.
  • Kemi themeluar Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
  • Kemi miratuar Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe Dhunën në Familje.
  • Rreth 800 mijë qytetarë apo praktikisht çdo familje në vend është përkrahur me mbi 100 milionë euro gjithsej.
  • Në shtator kemi ndarë edhe 150 milionë euro në kuadër të Pakos për Përballjen me Inflacion, ashtu që mbështetja ndaj qytetarëve të vazhdojë.
  • Kemi miratuar Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative.
  • Kemi implementuar Reformën në Fushën e Inspektimeve.
  • Reformën e kornizës ligjore për vetëqeverisje lokale.
  • Dhe kemi themeluar Komisionin Ekzekutiv për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.
  • Pastaj kemi hartuar raportin për liberalizim të vizave.
  • Dhe gjithashtu aplikimin për anëtarësim të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në mbledhjen e sotme dhe në këto 1 vit e gjysmë të qeverisjes, bëhen 910 vendime që ne si Kabinet Qeveritar miratojmë, nga këto janë 169 projektligje, 26 koncept-dokumente dhe 11 nisma ligjore. Na mbetet edhe shumë për të bërë deri në fund të vitit, dhe unë po i veçoj disa prej objektivave kryesore:

  • Do të miratohet Plani Kombëtar për Zhvillim (PKZH), si instrument i ri i planifikimit, implementimit, mbikëqyrjes dhe vlerësimit të performancës së Qeverisë. Plani Kombëtar për Zhvillim në masë të madhe do të rezulton nga integrimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim me Planet Strategjike dhe Operacionale të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive.
  • Do të finalizohen dhe miratohen rregullore për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, ku përcaktohen qartë përgjegjësitë dhe kompetencat e zyrtarëve publik karshi Planit Kombëtar për Zhvillim.
  • Do të miratohen projektligje të ndryshme, si ai për: Fondin Sovran; Shërbimin e Jashtëm; Shpronësimin; për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë; për Tregti të Brendshme; për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; për Prokurorin e Shtetit; për Zyrtarë Publik; për Siguri Kibernetike; etj.
  • Do të përgatitet aplikacioni dhe lobimi për aplikim për statusin e shtetit kandidat në Bashkimin Evropian.
  • Do të merren vendimet për financim ndërkombëtar që kapin vlerën mbi 170 milionë në formë grantesh.
  • Do të mirëmbahet stabiliteti makrofiskal me të hyra rekorde të buxhetit, me trend të rritjes dhe formalizim të ekonomisë.
  • Do të vazhdohet me reformimin e skemave sociale e pensionale, me qëllim të uljes së varfërisë dhe rritjes së aktivitetit në tregun e punës.
  • Do të rritet fiskalizimi dhe lehtësimi i barrës financiare për pajisje fiskale nga bizneset.
  • Do të fillohet me studime të fizibiliteteve për resurse ujore.
  • Do të realizohet ankandi për projekte të gjenerimit të energjisë elektrike nga energjia diellore.
  • Do të zhvillohet Sistemi për Menaxhimin e Granteve dhe Subvencioneve në bujqësi.
  • Do të rritet numri i inspektimeve në produktet industriale dhe të ushqimit, për të luftuar spekulimet e çmimeve në tregun tonë vendor.
  • Do të përmirësohet integriteti i institucioneve të drejtësisë, përmes vetingut dhe mekanizmave tjerë.
  • Do të zhvillohet Kurrikula për Edukimin në Fëmijëri të Hershme.
  • Të bëhet finalizimi i programit Kombëtar të Shkencës.
  • Dhe të miratohet Plani Kombëtar për Zhvillim Lokal 2023-2030.

Të nderuar qytetarë,

Qeverisjen e kemi kuptuar si përgjegjësi, e jo si privilegj, dhe këtë e dëshmon edhe kjo listë e disa prej rezultateve tona, përkundër përballjes me pandeminë Covid, krizën energjetike, inflacionin, grevën e pajustifikuar një-muajshe në arsim, dhe Serbinë ende armiqësore ndaj shtetit tonë.

Jam i bindur se sukseset do të vazhdojnë, ashtu si edhe sfidat, e nganjëherë do të përballemi edhe me ndonjë ngecje ose vonesë.

Kosova nuk ka pasur qeverisje më të mirë, por na mbetet edhe shumë për të bërë sepse nevojat janë të mëdha dhe në të kaluarën koha e humbur është e gjatë. Mirëpresim bashkëpunimin me të gjithë njerëzit vullnetmirë pa dallim, për ta përmirësuar qeverisjen dhe vetën dhe për ta rritur efikasitetin dhe efiçiencën në qeverisje. Rolin e qeverisjes nuk e marrim si të mirëqenë, por unë me Kabinetin tim qeveritar jemi duke punuar maksimalisht dhe me nder për t’i avancuar të gjitha aspektet që ndikojnë në jetën tuaj, për standard sa më të mirë jetësor e për shërbime sa më të mira publike.

Ju falemnderit të gjithëve./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img