Përfaqësuesja e Kosovës është nisur sot (e enjte) për në Austri, ku nesër (e premte) pritet të zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore.
Dardanët luajtën para disa ditësh në Prishtinë ndaj San Marinos, duke shënuar fitore të thellë 4-1 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Ekipi i Bernard Challandes në plan ka edhe ndeshjen e dytë miqësore, të cilët do ta zhvillojë nesër dhe tashmë kanë udhëtuar drejt Austrisë.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore të këtij muaji kundër Maltës në Klagenfurt.
Për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen kundër San Marinos me ekipin nuk ka udhëtuar Lorik Emini. Ndërkaq, me leje të përzgjedhësit Challandes nga grumbullimi janë liruar Vedat Muriqi dhe Samir Ujkani.
Dardanët pasditen e sotme do ta zhvillojnë stërvitjen në Klagenfurt, ndërkohë ndeshja me Maltën luhet të premten në orën 18:00. /Telegrafi/