Kosova dhe Shqipëria kanë shënuar ngritje në listë sa i përket fuqisë ushtarake, ndërsa Serbia ka pësuar rënie për katër shkallë.
Nga 145 vendet e konsideruara për rishikim vjetor të Indeksit së Fuqisë Globale 2023, Kosova është renditur e 134-ta, sa i përket fuqisë ushtarake dhe njerëzore.
Krahasuar me një vit më parë, Kosova ka shënuar përmirësim në pesë shkallë.

Ndryshe nga Kosova, Shqipëria renditet në vendin e 91, duke u ngritur për 24 vende në renditje krahasuar me vitin 2022, kur ishte në vendin e 115-të.

Ndërkaq, Serbia është renditur në venin e 58-të, duke pësuar rënie për katër shkallë.
Kroacia renditet e 69-ta, Bosnja e Hercegovina renditet në vendi e 133-të ndërsa Mali i Zi në vendin e 128 dhe Maqedonia në vendin e 108-të.
Në 10 vendet me ushtritë më të fuqishme të botës, sipas listës, janë SHBA, Rusia, Kina, India, Britania e Madhe, Koreja e Jugut, Pakistani, Japonia, Franca e Italia.
Në këtë studim shihet numri i ushtrisë, numri i tankeve, anijeve, avionëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, niveli i financimit të sferës ushtarake, infrastruktura e transportit të vendit, qasja në produktet e naftës dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në aftësinë luftarake të ushtrisë.
Indeksi nuk përfshin armët bërthamore.