Site icon PrishtinaPress

Kosova nën sanksione, Brukseli s’e prek aplikimin e saj për anëtarësim në BE

Është bërë afër një vit që kur Kosova dorëzoi aplikimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian. Frika që kjo dosje e dërguar në institucionet e BE-së do të mbetet e pashqyrtuar për një kohë të gjatë duket se qëndron. Aktualisht, ende s’është ndërmarrë asnjë hap nga Këshilli i BE-së për ta çuar para këtë aplikim, derisa i gjithë fokusi i Unionit është përqendruar te tejkalimi i ngërçit në dialogun me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjes së fundit, të cilën vazhdimisht e prezantojnë si rruga e vetme ku duhet të kalojë Kosova për të arritur te një anëtarësim real.

Derisa në BE është ngjallë debati për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor në vitin 2030, nëse këto vende i plotësojnë kushtet, raportet Prishtinë-Bruksel nuk janë më të mirat. Vendi, vitin e kaluar ka aplikuar për anëtarësim në BE, por Unioni në fund të qershorit i komunikoi masa ndëshkuese për shkak se qeveria nuk i plotësoi kërkesat e tyre për deeskalim në Veri. Aktualisht Kosova llogaritet si vend kandidat potencial ndërsa rrugëtimi i saj për anëtarësimit, përveç reformave, është i ndërlidhur fort edhe me procesin e dialogut.

Në raportin e Komisionit Europian, që e mat progresin e vendeve që synojnë të bëhen pjesë e familjes europiane, vetëm evidentohet synimi i Kosovës.

“Kosova paraqiti një kërkesë për anëtarësim në BE në dhjetor 2022. Autoritetet mbeten të përkushtuara në rrugën evropiane të Kosovës”, thuhet në raport.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dje në një konferencë të përbashkët për media bashkë me shefin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, u ankua se ndonëse Kosova edhe praktikisht shprehu ambicien e saj për t’u bashkuar me BE-në, një gjë e tillë s’po i kthehet nga BE-ja.

“Kosova beson në të ardhmen e vet europiane dhe si shembull i demokracisë në rajon duhet t’i jepet mundësia që këtë ta dëshmojë. Ne kemi bërë hapin tonë dhe kemi shprehur interesimin dhe kemi dorëzuar aplikacionin për dorëzim në BE. E shfrytëzoj edhe këtë rast që ta ftoj BE-në, respektivisht Këshillin e BE-së që ta mandatojë Komisionin Europian që përmes pyetësorit ta bëjë vlerësimin tonë për statusin e kandidatit”.

Por, Bislimi s’e përfundoi ankesën me këtë. Ai kërkoi edhe nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së që të rrisin kredibilitetin e BE-së në Kosovë e rajon duke e njohur Kosovë.

“Kosova ka dëshmuar që është aleate e BE-së edhe BE-ja duhet të dëshmojë se Kosovën e do dhe e sheh brenda Bashkimit Europian. Mosnjohja e plotë nga 27 vendet e Bashkimit Europian vazhdon ta dobësojë pozicionin e BE-së jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”.

Bislimi tha se vazhdimi i procesit të anëtarësimit varet nga vullneti politik derisa marrja e statusit kandidat nuk nënkupton njohje nga shtetet anëtare.

“Procesi i anëtarësimit duhet të jetë në plotëni i bazuar në meritokraci, por nuk mund të flasim për meritokraci derisa Kosova nuk është formalisht duke u vlerësuar se a i plotëson kriteret e Kopenhagës”,

Për këtë çështje dje është pyetur komisioneri i BE-së i ngarkuar për zgjerimin e Unionit, Oliver Varherlyi në një konferencë të përbashkët për media që e mbajti me shefen e BE-së, Ursula von der Leyen, pas miratimit të paketës së zgjerimit.

Ai tha se janë të gatshëm që si Komision Europian ta kryejnë detyrën e tyre, por se procedurën paraprake e që i takon Këshillit të BE-së s’e kanë në dorë.

“Këshilli nuk ka kërkuar ende nga Komisioni që ta japë mendimin. Ne jemi gati ta japim mendimin. Nuk është detyra ime ta interpretoj qëndrimin e Komisionit ose shteteve anëtare”.

Varherlyi përsëriti më pas se rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes dialogut me Serbinë.

“Për Kosovën rruga europiane po vjen përmes dialogut të suksesshëm. Ata duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë dialogun e tyre të suksesshëm”, tha ai.

Duke komentuar raportin aktual Kosovë -BE, ish kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova është i vetmi vend në Ballkan nën sanskione.

Zyrtarë të BE’së përfshirë ata që janë në postet më të larta si Presidentja e KE’së Ursula Von Der Leyen kanë konfirmuar se heqja e masave varet edhe nga ajo se cfarë do të bëj Kosova në raport me kërkesat e BE’së për themelimin e Asociacionit. Qasja e Kosovë në fondin 6 miliardësh po ashtu është e ndërlidhur me rezultatet në implementimin e marrëveshjes.

Kosova kishte zgjedhur fundin e vitit të kaluar për ta bërë kërkesën për anëtarësim sa në krye të Presidencës së Këshillit të BE-së ishte Republika Çeke, tek e cila shpresonte se dosjen e Kosovës s’do ta mbante në sirtar.

Në gjysmën e parë të këtij viti ishte Suedia ajo që u mor me kërkesën e Kosovës. Publikisht, atë kohë Presidenca suedeze pati thënë se “është duke vazhduar me konsultimet”, por s’e përmbajtjen e tyre s’mund ta zbulojnë.

Bllokimin e aplikimit të Kosovës e bën edhe më të ashpër mungesa e ndërmarrjes së veprimeve nga ana e Presidencës aktuale të Spanjës që udhëheq me Këshillin e BE-së.

Spanja s’ka ndryshuar qëndrim karshi pavarësisë së Kosovës dhe ndër pesë vendet anëtare të BE-së ajo e kundërshton më së shumti.

Në përgjigjen e fundit që e pati dhënë një burim diplomatik për Gazetën Express mbi qëndrimin e Presidencës spanjolle karshi kërkesës së Kosovës për anëtarësim ishte se “çështja e Kosovës” duhet të zgjidhet në këtë aktualitet gjeopolitik.

“Spanja mban qëndrimin e saj mosnjohës ndaj deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008. Ne mbrojmë nevojën që çështja e territorit të Kosovës të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Është koha për të bërë përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ne kemi një Përfaqësues të Lartë me interesim të madh për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe ne mbështesim plotësisht punën e Përfaqësuesit Special Lajçak”, kishte thënë ky burim më 22 gusht të këtij viti.

Spanja mban Presidencën deri në fund të dhjetorit dhe do të pasohet nga Belgjika, e cila do të udhëheqë nga janari deri në fund të qershorit 2024 e në gjysmën e dytë të vitit është Hungaria.

Në anën tjetër, Komisioni Europian dje rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnjë e Hercegovinës me BE-në kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim.

Anëtarësimi i shteteve të reja anëtare në Bashkimin Evropian (BE) rregullohet nga neni 49 i Traktatit të Bashkimit Evropian. Një shtet që dëshiron të aplikojë për anëtarësim në Union duhet të plotësojë dy kushte: të jetë një shtet europian; duhet të respektojë vlerat e përbashkëta të shteteve anëtare dhe të marrë përsipër t’i promovojë ato. Këto janë dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave (neni 2 i Traktatit për Bashkimin Europian).

Kushtet dhe data e anëtarësimit, periudha e tranzicionit e kërkuar dhe përshtatja me traktatet mbi të cilat është themeluar Unioni duhet të dakordohen në formën e një traktati aderimi midis vendit kandidat dhe shteteve anëtare. Për t’i dhënë formën e duhur aderimit, ky traktat nënshkruhet dhe ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare dhe vendi kandidat në përputhje me rregullat e tyre kushtetuese ndërsa Parlamenti Europian jep pëlqimin e tij.

Exit mobile version