0.3 C
Pristina
Wednesday, February 5, 2025

Buy now

spot_img

Kosova nën masa – cili do të jetë qëndrimi i qeverisë së ardhshme për marrëdhëniet me aleatët e saj?

Partitë politike në Kosovë po vijojnë fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, mes debatesh për problemet e trashëguara dhe ndarjet e thella rreth shumë çështjeve që lidhen me politikat e brendshme por edhe të jashtme.

Që nga qershori i vitit 2023 Kosova është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të veprimeve të saj në veriun e banuar me shumicë serbe. 

Edhe zyrtarë të lartë amerikanë të administratës së ish presidentit Joe Biden kishin paralajmëruar në disa raste për përkeqësim të marrëdhënieve në mes dy vendeve për shkak të veprime të pabashkërenduara të qeverisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë thonë se vendi që nga shpallja së pavarësisë asnjëherë nuk ka qenë në një pozicion më të pavolitshëm me partnerët ndërkombëtar. 

Pjesë e programit të tyre është edhe riparimi dhe thellimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, që sipas tyre është thelbësor për të ardhmen e Kosovës.

“Kosova shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO dhe Bashkim Evropian, me miqësi të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të jetë misioni politik edhe sot”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Do ta forcojmë aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet demokratike të botës”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza

“Duhet me heq mashtruesin sepse duam siguri, siguri të plotë dhe duam siguri të përjetshme. Duam anëtarësim në NATO dhe duam anëtarësim me planin nacional. Duam miqësi me Amerikën prandaj duhet me heq mashtruesin”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti, që mban aktualisht këtë post, gjatë shpalosjes së zotimeve të tij tha se do të forcojë edhe më tej marrëdhëniet strategjike të vendit me partnerët ndërkombëtarë.

I dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Trump për misione të veçanta, Richard Grenell, tha se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk është e besueshme. Në një postim në rrjetet sociale ai tha se “retorika e përdorur nga (Albin) Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni” shkroi ai.

Grenell edhe gjatë mandatit të parë të tij si i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, kishte kritikuar Kurtin.

Ai njihet si autori i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi që u arrit në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020.

Në pranverën e atij viti Kurti tha se Grenell ishte përfshirë në rrëzimin e qeverisë së tij më 25 mars, për shkak të mospajtimeve rreth procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi, por kjo është hedhur poshtë nga diplomati amerikan.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img