Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka marr pjesë në Samitin e Sofjes që është vazhdimësi e Procesit të Berlinit, ku temë ishte tregu i përbashkët rajonal.
Gjatë këtij samiti, Kosova së bashku me vendet anëtare të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dy deklarata, atë për tregun e përbashkët rajonal dhe për agjendën e gjelbër.
Me këtë rast, Hoti tha se janë duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm së bashku si gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi.
“Besoj që sot jemi duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm së bashku si gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi. Është e qartë se Bashkëpunimi Ekonomik Rajonal stimulon rritjen, shton konkurrencën dhe investimet e huaja në rajon, duke shpejtuar konvergjencën tonë në drejtim të Bashkimit Evropian. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe tani janë zonë e tregtisë së lirë, por për të realizuar përfitimet e plota të bashkëpunimit tonë rajonal, ne duhet t’i largojmë të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe të njerëzve. Kosova është e përkushtuar që ta arrijë këtë. Më lejoni të theksoj se Zona Ekonomike Rajonale, në asnjë mënyrë nuk është alternativë për integrimin evropian”, tha Hoti.
Për shkak të pandemisë COVID-19, takimi ishte virtual, ku përveç përfaqësuesve të gjashtë vendeve të Ballkanit, morën pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësues të tjerë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.