Kosova po synon themelimin e një instituti përmes së cilit do të dokumentohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Për këtë është miratuar një projektligj në Qeverinë e Kosovës i cili pritet së shpejti të shqyrtohet nga komisioni parlamentar përkatës dhe të dalë për votim në seancën e Kuvendit.
Hulumtimi dhe dokumentimi i të gjitha krimeve po konsiderohet të jetë i vështirë 23 vjet pas luftës në Kosovë dhe po vlerësohet se shteti është vonuar me punën në këtë drejtim. Megjithatë, puna e këtij instituti pritet të ndihmojë organet e drejtësisë në hetimin dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës, por edhe shtetin në përgatitjen e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.
Familjarë të viktimave në Kosovë nuk po dorëzohen duke kërkuar drejtësi për më të dashurit e tyre.
Prej 8 prillit të vitit 1999 nuk dihet asgjë për fatin e Adem Ademit, kirurg i cili kishte mjekuar edhe ushtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë. Motra e tij, Lutfije Ademi-Vokshi, çdo ditë zgjohet me shpresën se do të ketë një lajm për vëllain e saj të zhdukur.
Lutfija thotë se familjarët e personave të zhdukur janë të gatshëm të rihapin plagët e tyre në mënyrë që të dokumentohen krimet dhe dëshmitë të arrijnë të organet e drejtësisë.
Historinë e vëllait të saj e ka bashkuar në një libër me rrëfimet e familjarëve të tjerë të cilët kërkojnë të dashurit e tyre, si dëshmi për atë çfarë ka ndodhur.
“Në librin tim i kam dhjetë rrëfime të familjarëve janë rrëqethëse. Janë fjalë që u dalin nga barku, nga shpirti, nga zemra. Dhe e sheh sa populloi ynë ka vuajtur gjatë luftës edhe mos të kenë një përkrahje prej shtetit, mos të ketë një ndihmë, se jetojnë në varfëri shumë të madhe, mezi ngopen bukë këta. Duhet edhe shteti të jetë përkrah tyre. Edhe pas 23 vitesh ata gjetën kohë me e hap varrën që kurrë nuk u është shëruar, vetëm e vetëm të kenë një dëshmi që dëshmojnë se çka ka bërë Serbia në Kosovë”, rrëfen Vokshi.
Dëshmi të krimeve të luftës ka mbledhur edhe i riu nga komuna e Drenasit, Esat Shala.
Letra të shkruara, fotografi e video-incizime të masakrave të kryera në Kosovë të cilat i posedon Shala thotë se do t’i ndihmojnë institutit në dokumentimin e krimeve.
“Prova ka të mjaftueshme për gjenocidin serb që ka ndodhur në Kosovë. Provat që i posedoj unë janë prova që kemi hulumtuar për masakra të rënda. Shumicën e masakrave që janë bërë në Kosovë i posedojmë të incizuara prej individëve të ndryshëm. Kemi CD një numër të madh, kemi edhe dokumente të ndryshëm të forcave serbe, ditarë të ndryshme, fotografi, që dëshmojnë krimet serbe që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë”, thotë Shala.
Më 16 shtator Qeveria e Kosovës e miratoi projektligjin për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë dhe i njëjti i është dërguar Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
Instituti parashihet të jetë agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe pritet të udhëhiqet nga një drejtor i emëruar nga kryeministri i Kosovës.
Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës synon krijimin e kujtesës kolektive por të dhënat do të mund të shërbejnë edhe për përgatitjen e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta kenë prioritet votimin e projektligjit për ngritjen e Institutit për Krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Sipas saj, qeveritë e kaluara nuk kanë punuar në këtë drejtim dhe kjo e ka bërë më të vështirë hartimin e dokumenteve nga kjo qeveri.
Haxhiu thotë për KosovaPress se ky institut do jetë në shërbim edhe të iniciativave të qeverisë, siç është ajo e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.
“Sa i përket padisë për gjenocid, nëse e shohim programin qeverisës atë e ka kompetencë Zyra e Kryeministrit. Megjithatë ne kemi mbajtur disa takime për shkak se kjo çështje është e ndjeshme, ne nuk kemi mundur të japim informacione më shumë për punën që është bërë deri më tani. Megjithatë kur të krijohet instituti që do të dokumentojë krimet e luftës kjo do të jetë shumë e lehtë edhe për një iniciativë të tillë. Mirëpo edhe për Prokurorinë Speciale, në kuptim të hetimit, por pastaj edhe gjykimit të rasteve të krimeve të luftës, sepse realisht instituti do t’i ketë të dokumentuara të gjitha krimet. Kjo nuk mund të jetë e lehtë, sidomos pas më shumë se dy dekada të pasluftës megjithatë konsideroj se do ë jetë në shërbim edhe të nismave dhe iniciativave të tjera që do t’i ndërmerr Republika e Kosovës”, thotë Haxhiu.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi thotë se duhet adresuar përgjegjësinë e shtetit serb për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Si shtet ne jemi vonuar shumë në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, por si mazhorancë ne menjëherë pas ardhjes kemi filluar procedurat e hartimit të projektligjit. Do ta miratojmë shumë shpejt dhe do ta themelojmë institutin për të dokumentuar krimet e kryera kundër njerëzimit, akteve gjenocidale e kështu me radhë për periudhën gjatë luftës në Kosovë. Megjithatë duhet të shërbehemi me ato prova dhe dëshmi që ekzistojnë, nuk është e pamundur, sado që jemi vonë, shumë më mirë do të ishte të bëhej më herët. Shumë më efikas do të ishte, madje do të forconte edhe pozicionin e Kosovës në adresimin e përgjegjësisë të shtetit serb për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. E për aktet gjenocidale ndaj popullit shqiptar, megjithatë sado vonë është shumë më rëndësi të bëhet sa më parë”, thotë Rrustemi.
Një institut të ngjashëm Kosova e kishte themeluar 12 vjet pas luftës por i njëjti ishte mbyllur në vitin 2018 me vendim të qeverisë.
Pas mbylljes së institutit, Ministra e Drejtësisë kishte formuar Divizionin për Drejtësi Tranzicionale, me qëllim të vazhdimit të punës së këtij instituti.
Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale, thekson nevojën që qeveria të mbështesë institutin e ri në mënyrë që të mund të realizohet puna me intensitet të lartë.
Sipas tij, në institut duhet të jenë të punësuar së paku 15 punëtorë shkencorë dhe të realizohen hulumtime në teren, në të gjitha fshatrat, në mënyrë që të evidentohen krimet e kryera.
Salihu i cili e ka udhëhequr institutin e atëhershëm, thotë se kanë publikuar dhjetë libra për krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë.
“Këto të dhëna do t’i shërbejnë edhe organeve të ndjekjes, mund t’i shfrytëzojnë, posaçërisht lidhur me krimin më të rëndë të luftës që është gjenocidi. Edhe kjo mund të shërbejë për shkak se edhe qeveritë e mëparshme edhe kjo e tanishmja thonë se ka elemente dhe do ta padisim Serbinë për krimet e gjenocidit. Krimet e shumta që janë kryer në Kosovë, janë krimet më të mëdha, më të tmerrshme që u ngjasojnë këtyre krimeve që po kryen tani ushtria e Putinit në Ukrainë. Këso krime kanë ndodhur. Në Kosovë janë me dhjetëra varreza masive, me dhjetëra puse e bunarë, që i kanë gjuajtur njerëzit”, thotë Salihu.
Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj thotë se është për keqardhje që Kosova ka ngecur në dokumentimin e krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës.
“Për fat të keq, në fund të javës së kaluar një dëshmitar okular për masakrën e Izbicës ndërroi jetë. Me kalimin e kohës shumë dëshmitarë mund të ndërrojnë jetë apo deklaratat e tyre mund të mos jenë valide për shkak të kalimit të kohës dhe venitjes së kujtesës së tyre. Prandaj instituti duhet të fillojë fuqishëm me punën e vet. Është momenti i fundit që të dokumentohen, gjenden provat, sepse me kalimin e kohës provat do të zhduken, dëshmitarët do të vdesin. Prandaj po e ceku që është shumë e rëndësishme që posa të krijohet instituti të fillojë të ketë kapacitete të plota, sidomos burime njerëzore në mënyrë që sa më shpejt të fillojë me mbledhjen”, thotë Blakaj.
Esat Shala thotë se Kosova është dashur të fillojë punën në këtë drejtim menjëherë pas përfundimit të luftës.
“Për mendimin tim është shumë vonë, por krimet nuk vjetërsohen, por vonë është. Shteti i Kosovës si ka përfunduar lufta është dashur të merret me dëshmitarë më shumë, të bëhet një ekip dhe të intervistojë dëshmitarët sa kanë qenë gjallë dhe t’i arkivojë dëshmitë, sepse sot ato na kishin hyrë në punë. Por, për fat të keq kanë vdekur më shumë se 90% e dëshmitarëve dhe nuk kanë pasur mundësi të lihet asnjë intervistë apo fakt çfarë kanë përjetuar ata”, thotë Shala.
Profesor Ismet Salihu vlerëson se me kalimin e kohës provat mund të zbehen dhe do të bëhet më e vështirë mbledhja e tyre.
“Ka me qenë më vështirë sesa të punohej nga viti 2000 apo 2001. Ka me qenë më vështirë për shkak se provat zbehen. Më vështirë është për t’i mbledhur, sistemuar, dëshmitarët okularë ata që kanë përjetuar ngjarjet disa kanë ndërruar jetë. Janë 20 vjet të kaluara. Mandej është aspekti psikologjik për shkak se njerëzit të cilët kanë përjetuar krimet shumë vështirë dëshirojnë t’i rikujtojnë ato. Ne e quajmë një lloj ‘riviktimizimi’. Është vështirë. Mirëpo këto mund të kalohen me një punë sistematike dhe me një përkrahje të madhe të duhur të shtetit për shkak se kjo do angazhim, buxhet”, thotë ai.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pranon se do të jetë më vështirë mbledhja e fakteve 23 vjet pas luftës por shton se puna e deritanishme e organizatave vendore dhe ndërkombëtare do të ndihmojë institutin në këtë drejtim.
Ndërsa Lutfije Ademi-Vokshi thotë se familjarëve nuk u humbet shpresa se një ditë do të zbardhet fati i më të dashurve të tyre.
Ajo kërkon që puna e Institutit për Krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë të rezultojë me vendosjen para drejtësisë për të gjithë kryesit e krimeve.
“Sot mendoj them, 23 vite kanë kaluar dhe asnjëri nuk ka dalë në gjykatë para drejtësisë të dënohet për krimet që e i ka bërë në Kosovë. Pa marrë parasysh është vëllai im në pyetje apo është dikush tjetër, kisha kërkuar që drejtësia të kryejë punën e vet dhe të gjykohen ata që i kanë bërë krimet në Kosovë. Shpresoj, se shpresa të mban, që ndoshta edhe diku është, shpresoj që diku është, derisa unë nuk kam asnjë lajm për të, derisa ne presim, atëherë shpresat nuk na humbin që mundet me qenë diku”, thotë ajo.
Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare tregojnë për mbi 13 mijë persona të vrarë gjatë luftës në Kosovë, 70% e tyre besohet të kenë qenë civilë. Ndërsa ende nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave të pagjetur./kp/