Republika e Kosovës është ndër tri vendet e para në Evropë që do të ndihmohet me doza të vaksinës anti-COVID nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Ambasada e SHBA-ve në Gjeorgji.
“Gjeorgjia, Ukraina dhe Kosova janë tre vendet e para evropiane që marrin vaksina nga Shtetet e Bashkuara, bazuar në përparësitë dhe partneritetin rajonal”, thuhet në këtë komunikatë.
Sipas të njëjtës komunikatë, thuhet se “Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të përkushtuara për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia”.
“Sot, Ndihmës Sekretari i Përkohshëm për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Phil Reeker u takua me organizatat pjesëmarrëse në Grupin Konsultativ “Think Tank”, të mbështetur nga USAID / Georgia. Ata diskutuan se si Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të mbështesin një rimëkëmbje të fuqishme ekonomike që përfiton nga punëtorët, familjet e tyre dhe komunitetet e tyre”, thuhet në të njëjtën komunikatë për medie.