Site icon PrishtinaPress

Kosova merr masa për të penguar përhapjen e murtajës afrikane të derrit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës (AUV) thotë se ka ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së mëtejme të sëmundjes murtaja afrikane e derrit.

Rasti i parë në Kosovë u konfirmua më 17 korrik në një fermë derrash në komunën e Kllokotit – pjesa jugperëndimore e vendit.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky, njëherësh, është rasti i parë i konfirmuar me këtë sëmundje në historinë e Kosovës.

Murtaja afrikane e derrit është sëmundje ngjitëse virale, që shkakton ethe hemorragjike te derrat e butë dhe të egër.

Sipas gjetjeve të deritashme shkencore, sëmundja nuk transmetohet te njerëzit e as te kafshët e tjera.

Thaçi thotë se të gjithë derrat e infektuar në fermën në Kllokot janë asgjësuar. Sipas tij, atje kanë qenë 22 derra – pesë prej të cilëve kanë qenë të ngordhur.

Thaçi thotë se zyrtarët e AUV-it i kanë asgjësuar pastaj të gjitha kafshët në fermë, pasi Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar praninë e murtajës afrikane të derrit në të.

“Sipas ligjit, kërkohet që të gjithë derrat e pranishëm në fermë të asgjësohen, në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes”, thotë Thaçi.

Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, AUV-i ka krijuar një shtab të krizës, thotë ai, ndërsa ka nisur edhe hulumtimin epidemiologjik të fermave të derrave që gjenden në perimetrin prej tri kilometrash larg fermës me derra të infektuar.

Thaçi shton se therja e kafshëve që tregojnë çfarëdolloj shenje klinike të sëmundjes në fjalë, është e ndaluar.

Simptomat e murtajës afrikane të derrit përfshijnë: ethe, mungesë oreksi, lëkurë të skuqur, diarre dhe të vjella.

Thaçi, nga AUV-i, bën të ditur se numri i fermave të derrave në Kosovë është 5.242. Pjesa më e madhe e tyre gjendet në rajonin e Mitrovicës, Gjilanit, Pejës dhe Gjakovës.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se në vend jetojnë mbi 47 mijë derra, që përbëjnë 8.6 për qind të numrit të përgjithshëm të kafshëve.

Exit mobile version