Përmirësimi i kujdesit shëndetësor, ushqimi më i mirë, kushtet e jetesës dhe shumë faktorë të tjerë janë arsyeja e rritjes së përqindjes së personave mbi 65 vjeç në pothuajse të gjitha vendet e botës. Me pak fjalë, bota po plaket, por po ashtu edhe popullsia në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Edhe pse në nivel global shihen vetëm pak më pak se një e dhjeta e popullsisë së botës njerëz mbi 65 vjeç, megjithatë në shumë vende, kjo përqindje është shumë më e lartë dhe arrin mbi një të tretën e banorëve të një vendi.
Statistikat demografike për moshën e popullsisë janë të rëndësishme nga shumë aspekte – nga organizimi dhe planifikimi i fondeve pensionale, ndërtimi i institucioneve për kujdesin e njerëzve, trajtimi spitalor etj.
Në vijim, TRT Balkan ju jep një pasqyrë të përqindjes së popullsisë së moshuar në botë, në Bashkimin Evropian dhe në rajonin e Ballkanit.
Të dhëna për rajonin nga burime të ndryshme
Sa i përket përqindjes së banorëve më të vjetër se 65+ në rajonin e Ballkanit Perëndimor, organizata globale statistikore Statista ka të dhëna për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, por jo për Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, ndaj duhet kërkuar të dhëna për ta nga burime të tjera.
Sipas Statista-s, Serbia ka përqindjen më të lartë të popullsisë së moshuar në Ballkanin Perëndimor me 21.3 për qind të popullsisë mbi 65 vjeç. Mali i Zi ka 15,9 për qind të popullsisë së përgjithshme që është më e vjetër se 65 vjeç, ndërsa, sipas të dhënave të Statista-s për Maqedoninë e Veriut, 14,8 për qind e popullsisë është më e vjetër se 65 vjeç.
Mirëpo, nëse analizohen të dhënat e reja statistikore të marra nga regjistrimi i popullsisë i vitit të kaluar dhe të publikuara këtë vit, vijmë deri te e dhëna se popullsia është “plakur” dhe tani janë 17.1 për qind e banorëve që janë mbi 65 vjeç.
Sipas organizatës statistikore Knoema, Shqipëria ka 15.2 për qind të popullsisë mbi 65 vjeç dhe Bosnjë e Hercegovina 18.5 për qind, që do të thotë se, nëse të dhënat janë të sakta, ajo është menjëherë pas Serbisë për sa i përket përqindjes së popullatës së moshuar.
Sipas një burimi të tretë, Kosova ka popullsinë më të re në rajon. Sipas Index Mundi, Kosova ka vetëm 7.75 për qind të popullsisë që është mbi 65 vjeç.
Japonia ka 86.000 njerëz mbi 100 vjeç.
Ndër vendet më të mëdha, Japonia ka qenë gjithmonë në krye për sa i përket përqindjes së banorëve të moshës 65 vjeç e lart. Besoni apo jo, ka më shumë se 86.000 njëqindvjeçarë në vend. Në Japoni, megjithëse 29.8 për qind e njerëzve, ose pothuajse një e treta, janë të moshuar, vendi ishull nuk është në vendin e parë.
Monako ka mbi 36 për qind të popullsisë së saj mbi moshën 65 vjeç, duke e renditur atë të parën në botë për përqindjen e banorëve të moshuar si përqindje e popullsisë së përgjithshme.
Italia ka popullsinë më të vjetër në BE
Në kuadër të Bashkimit Evropian, Italia ka përqindjen më të lartë të popullsisë së moshuar, 23.5 për qind të popullsisë. Më pas vjen Finlanda me 22,7 për qind, e ndjekur nga Greqia me 22,5 për qind.
Gjithsej 16 vende në tokën evropiane kanë mbi 20 për qind popullsi të moshuar.
Nga vendet në Evropë, Luksemburgu (14.6 për qind) dhe Türkiye (9.7 për qind) shënuan përqindjen më të ulët të të moshuarve.
Sipas parashikimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri në vitin 2050, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të jenë shtëpia e 80 për qind të popullsisë së moshuar të botës. Për të rritur ndërgjegjësimin për këtë temë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur periudhën kohore midis 2021 dhe 2030 si “Dekada e plakjes së shëndetshme”.
Nisma synon “të reduktojë pabarazitë shëndetësore dhe të përmirësojë jetën e të moshuarve, familjeve dhe komuniteteve të tyre nëpërmjet veprimit kolektiv”./Prishtinapress/