Site icon PrishtinaPress

Kosova mbetet e izoluar, partitë politike akuzojnë njëra-tjetrën për ndryshim të Marrëveshjes

Edhe për të tretën herë, Kuvendi i Kosovës dështoi ta ratifikojë Marrëveshjen e cila po mban peng lëvizjen e lirë të qytetarëve. Madje, edhe pse dje e vizituan Kosovën tre zyrtarë të lartë të BE-së, prapë deputetët nuk treguan gatishmërinë të mendojnë për popullin. Mirëpo, mbrëmë nuk mjaftoi vetëm drama e mosratifikimit, pasi që AAK-ja nisi disa akuza për LDK-në, sikur këta të fundit kanë manipuluar me Marrëveshjen e Demarkacionit në Komisionin për Punë të Jashtme.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar të mërkurën Lidhjen Demokratike të Kosovës se e ka ndryshuar marrëveshjen mes partive për Projektligjin për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas AAK-së, LDK-ja ka ndryshuar marrëveshjen në Komisionin për Politikë të Jashtme, më konkretisht renditjen e pikës 2, e cila është “Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi si orientim”.

Madje, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar udhëheqësit e partive politike se “çdo ndryshim potencial i kësaj marrëveshjeje parimore rreth Projektligjit mund t’i kthejë në pikën zero tërë proceset dhe përpjekjet”.

Gazeta Express ka siguruar letrën e Haradinajt për liderët, ku ai paralajmëronte ata kundër ndryshimeve ndaj marrëveshjes, që ai e ka quajtur “përfundimtare”.

Por, në një prononcim për Gazetën Express, deputetja e LDK-së, njëherësh shefe e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur akuzave të partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Ne kemi vendosur në votim tekstin e njëjtë, që na është dërguar nga propozuesi”, ka thënë Osmani.

“Pra, tekstin që është propozuar nga Avdullah Hoti në seancë”, ka theksuar deputetja e LDK-së.

Sipas saj, në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme nuk është ndryshuar asgjë.

“Në Komision nuk kemi ndryshuar asnjë pikë të vetme. Po ai tekst është lexuar në Komision dy herë dhe është votuar nga të gjithë që ishin prezentë, duke përfshirë përfaqësuesen e AAK-së”, është shprehur ajo.

Kurse, kur është pyetur se ajo që e ka lexuar Hoti në seancë a është e njëjtë me tekstin e marrëveshjes së të shtunës, është përgjigjur duke treguar se si Komisioni funksionon me dokumente me shkrim.

“Ne, si Komision, funksionojmë me dokumente me shkrim. Dhe, ai tekst na është dërguar me shkrim”, ka treguar Osmani për Express.

Gjithashtu, me akuzat e AAK-së nuk po pajtohet shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti. Ai në një status në Facebook po thotë se e vërteta është ndryshe.

Ky është postimi i plotë në Facebook i Hotit:

Marrevshja sic shihet ne foton ne vijim per nenin 3 te ligjit per demarkacion eshte arritur te enjten mbrema (22 shkurt) me partite e koalicionit (PDK dhe Nisma). Le ta vertetojne kete te pranishmit ne zyren e kryetarit te Kuvendit. Marreveshja eshte shkruar ne zyren e tij.

Ate nate z.Haradinaj nuk deshironte te komunikonte fare. Te shtunen jemi njoftuar se ai e ka pranuar ate.

Sot ne Kuvend e kam lexuar tekstualisht kete marreveshje dhe eshte aprovuar ne Komisionin per Politike te Jashtme si amandament. Transkripti i Kuvendit e verteton kete. Kjo eshte e verteta.

Por, deputeti nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, nuk po pajtohet me Hotin.

Nitaj ka thënë, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, se LDK-ja ka hequr nga pika 3 raportin e Komisionit shtetëror për Demarkacionin, që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi, dhe e ka vendosur, sipas tij, pa marrëveshje, si pikë të veçantë.

“Hoti ose ka harru ose s’po i kujtohet”, është shprehur Nitaj.

 

Exit mobile version