Kosova do ta zhvillojë sonte ndeshjen e dytë të kualifikimeve për Europianin 2024.
‘Dardanët’ debutuan në këtë cikël garash të shtunën e kaluar, duke nxjerrë një barazim 1-1 si mysafir ndaj Izraelit, në një paraqitje mjaft të Kosovës, ku me pak fat mund t’i kishin marrë të tre pikët.
Atë që nuk e bënë në Izrael, futbollistët dardanë do ta kërkojnë sonte në “Fadil Vokrri” kur ata përballen ndaj kombëtares së Andorrës.
Kosova renditet e 106-ta në ranglistën më të fundit nga FIFA, ndërsa Andorra në të 153-tën dhe dardanët janë favoritë për këtë duel.
Zvicra dhe Rumania, të cilat i përkasin të njëjtit grup ku ndodhet Kosova, janë dy kombëtaret që kanë rrëmbyer pikët e plota pas ndeshjeve të para, me Zvicrën që mposhti thellë Bjellorusinë si mysafir 5-0, kurse Rumania mposhti 2-0 si mysafir kundërshtarin e sotëm të Kosovës, Andorrën.
Dueli fillon nga ora 20:45.