-1 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Kosova ka kapacitet për ushtri moderne

Udhëheqës të Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se shndërrimi i saj në një Forcë të Armatosur do të bëhet në përputhje me standardet e NATO-s, si një “ushtri moderne me kapacitete të plota”.
Ata thonë se Forca e Sigurisë është duke u përgatitur që të marrë përgjegjësi edhe për mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të Kosovës.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova i ka kapacitetet e mjaftueshme për të themeluar ushtrinë sipas standardeve të NATO-s, duke u mbështetur edhe në ndihmën që do të gëzonte nga perëndimi.

“Kemi buxhet në afat 10-vjeçar, që ne gradualisht do ta ndërtojmë një forcë moderne bazuar edhe në standarde të NATO-s. Do të jetë një forcë jo shumë e madhe, profesionale dhe e ndërveprueshme edhe me partnerët tanë”, shpjegon Rama.
Gjenerallejtënant Rama thotë se Kosova, në të ardhmen, do ta ketë ushtrinë e saj me të gjitha kapacitet operacionale.
”Do të ketë mjete të blinduara, pajisje taktike ose xhipa taktikë, por edhe armatimin që ne e kemi planifikuar deri në një në kalibër të caktuar. Qëllimi dhe synimi ynë është që planet t’i koordinojmë me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare”, thotë ai.
Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur, që nënkupton kalimin nga një forcë e angazhimeve e veprimeve për emergjenca në një forcë me karakter të plotë ushtarak, është paraparë pas një vlerësimi të sektorit të sigurisë në vend dhe rekomandimeve që NATO ka dhënë për përmbushjen e kapaciteteve operacionale.

Zyrtarë nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se kjo Forcë, tashmë ka realizuar gjithë programin e saj dhe është e gatshme për transformim të mëtejmë.
Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova ka mundësi që ta ketë një ushtri moderne dhe të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme.
“Mbi bazën e buxhetit aktual, është paraparë që për çdo vit të ketë një ngritje prej pesë milionë të buxhetit për Forcën e Sigurisë. Kuptohet në Raport me këtë forcë atëherë do të shkojë edhe ngritja e ushtrisë edhe pajisja e saj si me teknikë apo qoftë edhe me armatim në raport me fuqinë financiare”, thekson Shala.
Por, jo të gjithë shprehin mendimin për kapacitetet që FSK-ja mund të ketë për shndërrim në Forcë të Armatosur. Naim Maloku, analist i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, shprehet skeptik kur bëhet fjalë për një ushtri të fortë dhe të armatosur rëndë. Sipas tij, Kosova nuk ka buxhet të mjaftueshëm.
“Sa i takon ngritjes së një force të armatosur, e cila kishte me qenë ekuivalente në rrezikun që i kanoset Kosovës, pa NATO-n, për ta zëvendësuar KFOR-in, Kosova nuk ka buxhet të mjaftueshëm as për 20 vitet e ardhshme për ta ngritur një forcë, që do të siguronte integritetin territorial të Kosovës pa prezencën e KFOR-it në Kosovë”, shprehet Maloku.
Megjithatë, Maloku thotë se integrimi i Kosovës në NATO, nuk kushtëzohet me fuqinë ushtarake të një shteti. Ai konsideron se ka shtete evropiane që nuk janë të fuqishme ushtarakisht dhe janë pjesë e NATO-s.
“Mungesa e një ushtrie të pajisur mirë nuk e pengon Kosovën në proceset e integrimeve euro-atlantike”, vlerëson Maloku.
Megjithëkëtë, formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, thonë njohës të rrethanave të sigurisë, mbetet i ndërlidhur me “vendimet politike”.
Qeveria e Kosovës i ka proceduar Kuvendit në vitin 2014 Ligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, mirëpo ky ligj, është kthyer prapa pa u shqyrtuar. Një herë tjetër, ai nuk arriti të kalojë në mungesë të votave në Kuvend.
Për shndërrimin e FSK në FAK, nevojiten edhe ndryshimet kushtetuese në lidhje me këtë transformim.
Kuvendit do t’i nevojiten dy të tretat e votave, përfshirë edhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave, çka nënkupton arritjen e një konsensusi paraprak politik me subjektet nga radhët e komuniteteve pakicë./rel/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img