Site icon PrishtinaPress

Kosova jashtë Këshillit të Evropës, opozita fajin ia lë qeverisë – U përmenden edhe zgjedhjet e parakohshme

Kosova më 17 maj humbi mundësinë që të bëhet anëtare e organizatës më të vjetër të Europës për të drejtat e njeriut në mesin e 46 kombeve europiane.

Ministrat e Jashtëm të Këshillit të Europës u mblodhën dje në Strasburg në sesionin vjetor me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate ku diskutuan për çështje të caktuara. Kosova nuk hyri as në agjendë, ndërsa nuk dihet se kur do t’i vijë rendi përsëri.

Mospërfshirja e Kosovës në agjendë, bëri që partitë opozitare ta kritikojnë kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se eksperimentet e tij po e rrezikojnë subjektivitetin e shtetit dhe dështimi për mos pranim në Këshillin e Evropës është dëshmi se vendi po humb mbështetjen ndërkombëtare.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi mos anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e ka cilësuar si ditë të hidhur, ndërsa ka thënë se 17 maji është dëshmi e humbjes së mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

“Sot, është një ditë e hidhur për Kosovën dhe për qytetarët tanë. Sot, do të duhej të festonim pranimin në Këshillin e Evropës. Në vend se të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – e për çfarë është punuar gjatë, sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”, ka shkruar ai.

Sipas tij, qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, aty ku zbatohen parimet e drejtësisë së Kartës Evropiane të Drejtave të Njeriut, e cila edhe ashtu është e inkuadruar brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të ishte përfitim i madh për qytetarët dhe shtetin tonë.

“Pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, si PDK kemi insistuar menjëherë që Kosova të nis procedurat për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, duke e dhënë mbështetjen tonë të parezervë në çdo hap të këtij procesi”, ka shkruar Krasniqi.

Fatkeqësisht, sipas shefit të PDK-së, sot, dy vite më vonë, kur gjithçka ishte gati pasi kishim siguruar mbështetjen e nevojshme, për shkak të paaftësisë së plotë dhe papërgjegjësisë së skajshme të Qeverisë sonë, edhe kjo mundësi u humb. Akoma më keq, një rast i tillë nuk e dimë se kur do të na paraqitet prapë.

“Qytetarët e Kosovës sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të indinjuar dhe të papërfaqësuar. Ata dhe shteti ynë, kanë merituar më shumë – kanë merituar më mirë. Për PDK-në, rrugëtimi drejt integrimit evropian të shtetit tonë është i paalternativë. Përkushtimi ynë për drejtësi, demokraci dhe të drejta të plota për çdo qytetar të Kosovës mbetet i palëkundur”, ka shtuar ai.

Për këto arsye, shefi i PDK-së ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme dhe formimin e një qeverie të re.

“Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, i cili ka thënë se dështimi i faturohet kryeministrit Albin Kurti.

“Mospërfshirja e Kosovës për votim në Këshillin e Ministrave, është dështimi më i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky dështim i faturohet një njeriu e ai është, Albin Kurti. Eksperimentet e tij, jo vetëm që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit”, ka thënë Haradinaj.

“U bëj thirrje shteteve të BE-së, të mos i ndëshkojnë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, për shkak të papërgjegjësisë dhe mungesës së seriozitetit të një njeriu, por të na e shtrijnë dorën e t’na e hapin rrugën e integrimit. Ne rrugë tjetër nuk kemi!”, ka shtuar ai.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, fajtore për dështimin e lë vetëm qeverinë.

Ai tha se faji i qeverisë është për shkakun se nuk po arrin t’i bind as partnerët historik të Kosovës lidhur me drejtësinë e kauzës së saj.

“Kosova i ka përmbushur kriteret, dhe ne do të donim të hynim sot, dhe e besoj se të gjithë, si qeveria, si partitë opozitare, si shoqëria civile do t’i gëzoheshin anëtarësimit të Kosovës sot. Sot do të kishim festë por nuk e kemi, në radhë të parë për fajin e kësaj qeverie e cila nuk po ia del t’i bindë as përkrahësit e historik të Kosovës për drejtësinë e kauzës së vet”, ka deklaruar Hamiti në Klan.

Exit mobile version