Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, refuzoi të enjten kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviq, që ta vizitojë Republikën e Kosovës, më 14 mars të vitit 2020.
Kërkesa u refuzua për shkak të arrestimit të padrejtë dhe mbajtjes së vazhdueshme në paraburgim nga autoritetet e Beogradit, të qytetarit të Republikës së Kosovës, Nezir Mehmetaj, edhe pse të gjitha faktet tregojnë se ai do të duhej të lirohej sa më parë.
Sipas njoftimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, kërkesat e tilla do t’i shqyrtojë vetëm pas lirimit të Nezir Mehmetajt, i cili u arrestua nga policia serbe më 4 janar 2020, në pikën kufitare në Merdare, derisa po kthehej nga Zvicra në Kosovë, me pretekstin se dyshohet për krime lufte.
Mehmetaj është arrestuar dy muaj më parë në Serbi derisa po kthehej në Kosovë, nën dyshimet për krime të luftës.
Ai jeton në Zvicër, por ishte me pushime në Kosovë. Ditën kur u arrestua ai kishte dërguar në Beograd nënën e tij për shërim.