Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka komentuar deklaratën e të dërguarit të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin se Kosova e ka mbështetjen e Berlinit për anëtarësim në Këshillin e Europës.
Vuçiq tha se dëshiron të heshtë në këtë rast, por s’mundi pa vajtuar sërish.
“Do të filloja, nëse më lejoni, në një mënyrë tjetër t’u drejtohem qytetarëve të Serbisë. Ndonjëherë në këto kohë është më e mençur t’i heshtni disa gjëra”, citojnë mediat serbe të ketë thënë presidenti serb në TV Prva.
Vuçiq komentoi edhe thirrjen e ministrave të G7-ës që i kërkuan Serbisë ta harmonizojë politikën e saj me BE-në. Ai i quajti “politikë pa parime” dhe “presione brutale” disa pjesë të deklaratës së G7-ës, ndërsa nuk u përmbajt duke shprehur mllefin e tij ndaj Gjermanisë.
“Edhe britanikët sillen më korrekt se gjermanët, të paktën nuk do ta përdorin sëpatën menjëherë”, tha Vuçiq.
Emisari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka thënë të shtunën se Kosova është në zemër të Europës dhe se i përket Këshillit të Europës, duke theksuar qëndrimin e qartë se Kosova e ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë në këtë proces.
Për këtë, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e falënderoi Sarrazin në gjermanisht në profilin e saj në Twitter, duke shpërndarë fjalët e tij.