Me garën e zhvilluar sot nga Alush Telaku në sportin e notit, Kosova e ka përfunduar aventurën e saj në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.
Telaku garoi në disiplinën 100 metra delfin, ku përfundoi në vendin e 19-të.
Edhe njëherë, Kosovës fytyrën ia zbardhi sporti i xhudos që arriti t’i rrëmbejë pesë medalje, prej tyre tri të arta e dy të bronzta, krahas një të boksit, që ishte e bronztë.
Të artën e fituan xhudistet Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu. Derisa të bronztën e morën xhudisti Akil Gjakova, xhudistja Flaka Loxha, e boksieri Shpëtim Bajoku.
Në këto lojëra mesdhetare, vendi ynë u përfaqësua nga 39 garues, në 13 sporte të ndryshme.
Kështu, sot përfundojnë garat, teksa të mërkurën do të jetë ceremonia mbyllëse, e pas përfundimit të saj, ekspedita kosovare niset drejt vendlindjes.