Site icon PrishtinaPress

Kosova i kërkon llogari Edi Ramës për taksën në Rrugën e Kombit

Kosovarët kanë reaguar të dielën për çmimin prej pesë eurosh të vendosur nga Qeveria e Shqipërisë për një drejtim, për këdo që kalon me veturë nëpër Rrugën e Kombit.

Vënia e taksës, sipas shumë ministrave, deputetëve e qytetarëve të thjeshtë kosovarë, është vendim jo i mençur e i dëmshëm nga qeveria shqiptare e Edi Ramës.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se Qeveria kosovare s’ka pasur kurrfarë njoftimi se do të ketë taksë rrugore për Rrugën e Kombit.

Ka thënë se të hënën do t’i drejtohet homologut të tij shqiptar, për të kërkuar sqarime dhe për të zbritur taksën rrugore.

“As një konsultë nuk kanë bërë me Kosovën. Është dashur të paktën të bisedojnë dhe të na tregojnë për këtë taksë Të hënën, do t’ua bëj një shkresë zyrtare për një takim dhe të shohim…”, ka thënë Lekaj, të dielën për Express.

“Realisht, është taksë e madhe për shqiptarët”, ka shtuar ai.

Por, Qeveria e Shqipërisë ka njoftuar se nuk mund të zbresë çmimin e përcaktuar për të paguar kushdo që kalon nëpër autostradat shqiptare përfshirë edhe Rrugën e Kombit.

Këshilltari i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, Dardan Malaj, ka thënë se gjithë procedurat tenderuese dhe të koncesonimit kanë kaluar më 2016.

Ka thënë po ashtu se reagimi i Ministrit kosovar Pal Lekaj ka ardhur për shkak të mungesës së informacioneve.

Ndërkaq, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Anton Berisha, ka thënë se vënia e taksës në rrugën e Kombit është kundër integrimit ndërshqiptar, si dhe interesave të vetë kombit, ndërsa më të goditur nga ky vendim janë qytetarët e Kosovës.

Por, thotë Berisha, ky vendim do ta dëmtojë edhe Shqipërinë.

Edhe Koordinatori nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka reaguar rreth pagesës të vendosur nga Qeveria e Shqipërisë për këdo që kalon me veturë nëpër Rrugën e Kombit.

Tahiri, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, e ka quajtur të lartë çmimin prej 5- 10 eurosh në një drejtim. Këtë e ka bërë duke krahasuar pagesën me çmimet në rajon.

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri, ka reaguar ashpër për taksën në autostradë.

Beqiri ka goditur Edi Ramën për taksën te tuneli i Kalimashit, duke e quajtur të pafytyrë kryeministrin shqiptar.

Sipas tij, taksa në Rrugën e Kombit përbën ndëshkim për kosovarët.

“A skuqeni ndonjëherë ?nuk besoj, sepse për me u skuq duhet pasur fytyrë…”, ka shkruar Beqiri në Facebook.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, teksa ka komentuar taksën e vendosur prej 5 eurove për çdo veturë që kalon në tunelin e Kalimashit, ka thënë se ky tunel është rreth 5 kilometra, që i bie një euro pagesë për secilën kilometër.

“Te kalosh nje kilometer tunel ne Kalimash nga sot kushton nje euro, tuneli i Kalimashit eshte rreth 5 km, keq “, ka shkruar Gashi në Facebook.

Edhe deputeti tjetër i LDK’së, Fidan Rekaliu, ka thënë se konsideron se taksa rrugore e vendosur për automjetet që do të udhëtojnë nga Kosova në Shqipëri, është e lartë, jo proporcionale dhe prodhon kosto të panevojshme për bizneset e sidomos familjet kosovare që kanë frekuencë të lartë në bregdetin shqiptar.

Rekaliu thotë se Qeveria e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës, duhet të vendos kontaktet dhe të zhvillojë negociatat me Qeverinë e Shqipërisë për të arritur zgjidhje të pranueshme dhe të përballueshme për qytetarët e Kosovës.

Kundër taksës në autostradë ka reaguar edhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se kjo taksë i zhveshë të dy qeveritë nga pretendimet se po punojnë në mbledhje të përbashkëta për të përafruar dallimet mes shteteve.

Kundërshtar i taksës është deklaruar edhe Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate.

Ai ka thënë se e konsideron të lartë taksën te Kalimashi, teksa ka kërkuar të rishqyrtohet ajo.

Ndërkaq, juristi dhe analisti politik, Dastid Pallaska, ka thënë se pagesa për rrugën kombit ka për qellim mbulimin e rënies së përkohshme të biznesit të drogës.

Ramës i ra biznesi me drogën, prandaj e futi taksën e rrugës, ka vlerësuar Pallaska.

Por, në Kosovë ka pasur edhe të atillë që kanë përkrahur vendimin e qeverisë së Edi Ramës për taksë në autostradë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka dalë krah Edi Ramës për taksën në Rrugën e Kombit.

Nëpërmjet një “cicërime” në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, në internet, Ahmeti e ka arsyetuar vendimin e marrë nga qeveria e Ramës.

Taksën në rrugën e kombit e ka përkrahur edhe një deputet i LDK’së.

Haxhi Avdyli është shprehur se kostoja e pagesës për “Rrugën e Kombit” është e lartë, ani pse vënia e saj nuk duhej të habiste askënd.

Avdyli ka thënë se autoritetet e Shqipërisë duhet ta shqyrtojnë edhe një herë këtë çështje. Ai thotë se ideja për tarifën është e mirë, por vlera duhet të diskutohet edhe njëherë.

 

Exit mobile version