Site icon PrishtinaPress

Kosova i ka gjashtë zëvendësministra të Ambientit, kurse ajrin e kemi sikur në “Ditën e Kiametit”

Shifra alarmante të ndotjes së ajrit janë regjistruar dy ditët e fundit në Prishtinë. Ajri në kryeqytet cilësohet si i rrezikshëm për shëndetin. Nuk po zbatohet ndonjë strategji e cila do të ndikonte në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ndërkohë nuk ka ndonjë reagim nga MMPH.

Gjashtë zëvendësministra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk kanë prezantuar ndonjë plan për përmirësimin e ajrit në kryeqytet.

Fatmir Matoshi, Bashkim Musliu, Aleksander Spasic, Milena Zdravkovic, Kurtan Kajtazi dhe Besim Demi janë të gjashtë zëdhënësit e ministres Albena Reshitaj.

Nuk ka as reagim nga ana e tyre ndaj shqetësimit në rritje nga ana e qytetarëve për ajrin në të cilin po rrisin fëmijët.

Prej kohësh Prishtina kryeson listën e qyteteve botërore me ajrin më të ndotur por kjo nuk ka ndikuar në marrjen e masave të zbatueshme që do të ndikonin në të mirë të jetës së qytetarëve.

Mbrëmja e djeshme u cilësua e tmerrshme e shifra më të mira nuk ka as sonte. Bazuar në matjen e bërë nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, sonte në orën 22:00 vlera e ndotjes ka arritur në 414 dhe konsiderohet e shumë e rrezikshme.

Ministrja Albena Reshitaj e kontaktuar nga Express nuk është përgjigjur me arsyetimin se ndodhet jashtë vendit.

Kryeministri Ramush Haradinaj është kritikuar vazhdimisht për numrin e madh të zëvendësministrave në kabinetin e tij qeveritar.

Ai gjithmonë është arsyetuar me faktin se të gjithë të emëruarve në këto pozita ‘do tu gjeje punë’.

Derisa të nis marrja e masave nga organet kompetente paralajmërohet se gjendje më e mirë nuk do të jetë as në ditët në vazhdim.

Exit mobile version