Sikur çdo vit, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me komunat e Kosovës, kanë nisur përgatitjet për pritjen e mërgimtarëve.
Aktivitetet tashmë kanë filluar për t’i pritur ata, derisa janë bërë edhe disa lehtësira.
Zëdhënësi për komunikim publik në MDIS Lorik Pustina për Indeksonline ka treguar disa detaje lidhur me pritjen e bashkëatdhetarëve tanë për këtë vit.
“Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive që dalin nga Ligji për Diasporën, në kontinuitet është përgatitur për ardhjen e bashkatdhetarëve tanë këtë verë në atdheun e tyre. Aktivitetet tashmë kanë filluar, ndërsa një nga lehtësirat më të mëdha është lansimi i softuerit për blerjen e policës së sigurimit online, që do të shkurton pritjet në kufi, ndërsa është duke u punuar në drejtim të eliminimit të tërësishëm të kësaj tarife. Në mesin e aktiviteteve tjera të cilat ne si Ministri i kemi përgatit dhe do ti realizojmë, janë konferenca me gratë e suksesshme të diasporës, kampi dhe shkolla verore për të rinjtë, panairi tradicional, manifestimi tradicional 1 dhe 2 gushti ku shënohet edhe Dita e Diasporës”, ka thënë Pustina.
Po ashtu, secila komunë ka nisur përgatitjet për mërgimtarët e vet.
“MDIS ka koordinuar aktivitetet edhe me komunat e Kosovës dhe institucionet e thera, ku janë edhe dhjetëra aktivitete të planifikuara e që do të realizohen me Komunën e Prishtinës dhe Komunat e tjera të Kosovës”, ka shtuar ai.
Këtë muaj kanë nisur edhe të krijohen kolona të gjata në pikat kufitare, ku mërgimtarët po presin deri në dy orë për të hyrë brenda territorit të Kosovës.
Mirëpo, kjo ministri që bënë përgatitjet për pritjen e tyre po planifikon të heq tërësisht tarifën, gjë që do të eliminonte pritjet në kufi.