2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

“Kosova është zemra e Europës, i përket Këshillit të Europës”, Sarrazin kthehet i impresionuar nga Prishtina

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka përfunduar vizitën e parë zyrtare në Kosovë dhe tha se po kthehet në Hamburg me përshtypje të mira për Kosovën.

“Rrugës për në Hamburg me plot mbresa nga Kosova. Faleminderit për diskutimet intensive dhe të hapura. Mirupafshim për tani!”, ka shkruar Sarrazin në Twitter. 

Emisari i qeverisë gjermane në këtë vizitë dha mesazhe të qarta se Gjermania e mbështet fuqishëm Kosovën për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, pas dorëzimit të kërkesës zyrtare në Strasburg. 

“Pozicioni i Gjermanisë është i qartë: Kosova është zemra e Europës dhe përket në Këshill të Europës. Dje, e sigurova ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, për mbështetjen tonë për anëtarësim”, ka shkruar sot Sarrazin në Twitter, postim i cili u shpërnda nga kryediplomatja e Kosovës dhe kryediplomati i Shqipërisë. 

“Faleminderit për fjalët e qarta!”, ishte falënderimi i Gërvallës në gjermanisht, derisa homologu i saj Ditmir Bushati u shpreh i lumtur për mbështetjen e madhe që Gjermania po i jep Kosovës, duke vazhduar argumentimin se anëtarësimi i saj në KE është një e mirë për të gjithë qytetarët e saj, e në veçanti për minoritetet.

Sarrazin nuk përcolli vetëm mesazhin e Gjermanisë për përkrahje të pakursyer për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizatën e të drejtave të njeriut, por ai iu dha shpresë kosovarëve edhe për një proces të tejzgjatur – heqjen e regjimit të vizave.

“Liberalizimi i vizave është një temë e rëndësishme në komitetet vendimmarrëse të Bashkimit Europian në Bruksel dhe do të votojmë në favor të saj. Mund të na besoni në këtë. Po ashtu, kemi folur me partnerët tanë dhe u kemi thënë që ne mendojmë se të gjitha kriteret janë përmbushur… po i bindim me argumente se është e drejtë dhe e nevojshme që të bëhet”, tha Sarrazin në konferencën e përbashkët për media që e pati me ministren Gërvalla. 

Në këtë drejtim, ai kërkoi edhe mirëkuptimin e qytetarëve të Kosovës për Gjermaninë, meqë, siç tha, ajo s’mund ta marrë vendimin e vetme.  

“Ne nuk vendosim për këtë vetëm, kështu që këtë pyetje duhet t’ua bëni edhe të tjerëve. Unë mund të flas vetëm për Gjermaninë dhe jo vendet e tjera në rajon. Ne duam që Kosova të bëhet pjesë e çdo institucioni të BE-së, prandaj ishim në favor të këtij aplikimi”. 

Ndaljen e parë Sarrazin në Kosovë e pati në Manastirin e Deçanit, për të cilin tha se është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Kosovës që i shërben multietnicitetit të saj. 

Përveç Gërvallës, ai u takua edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, liderë opozitarë dhe me përfaqësuesit e serbëve. Ditë më parë, Sarrazin qëndroi edhe në Serbi për vizitë zyrtare. 

Sarrazin u emërua në këtë post nga qeveria gjermane në shkurt të këtij viti dhe shteti i tij për herë të parë ka krijuar një pozitë të tillë për Ballkanin Perëndimor.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img