Site icon PrishtinaPress

Kosova e Shqipëria mbajnë seancë të përbashkët të Kuvendit, dy parlamentet mblidhen në Prishtinë

Kosova dhe Shqipëria kanë nisur përgatitjet për mbajtjen e një seance të përbashkët të dy parlamenteve më 20 dhjetor në Prishtinë.

Mësohet se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, janë duke bashkëpunuar për organizimin e kësaj seance.

E në lidhje me këtë seancë, është deklaruar kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali. 

“Ky Kuvend i përbashkët vjen si nevojë e koordinimit të agjendës tonë kombëtare për realizimin e objektivave strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimet euro-atlantike të Kosovës, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar në zhvillimin, demokratizimin, paqen e sigurinë në rajon e më gjerë”, ka deklaruar ajo për TCH.

Në këtë mbledhje të përbashkët, pritet t’i bëhet një bilanc zbatimit të 30 marrëveshjeve të përbashkëta ndërqeveritare Kosovë-Shqipëri.

Po ashtu, parashikohet që të mbajnë fjalim dy kryeministrat Kurti e Rama, dy kryetarët e parlamenteve dhe nënkryetarët e grupeve parlamentare. 

Fokusi do të jenë intensifikimi marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo do të jetë mbledhja e dytë e përbashkët e dy parlamenteve.

Ligjvënësit e të dy shteteve u mblodhën të dielën e 27 Nëntorit 2022, në Parlamentin Shqiptar, në vigjilje të 110-vjetorit të Pavarësisë.

Exit mobile version