0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Kosova e Serbia akuzojnë njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve

Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, vlerësohet në mënyra të ndryshme nga palët në negociata.

Kryesisht mbizotërojnë akuzat dhe fajësimet reciproke pse marrëveshjet e caktuara nuk janë zbatuar në tërësi apo nuk janë zbatuar fare. Prishtina akuzon Serbinë se nuk po përmbush pothuajse asnjë marrëveshje të arritur në Bruksel.

Kryetarja e komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, Vjosa Osmani, thotë se bazuar në raportin e Qeverisë nënkuptohet se 90 për qind e marrëveshjeve të arritura nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë.

“Një konkludim nga gjitha këto që lexova, nëse shprehim në vëllim apo përqindje moszbatimin e këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë ato mund të arrijnë në mbi 90 për qind, pra nuk ka marrëveshje të cilën ajo nuk e shkel së paku pjesërisht”, ka deklaruar Osmani.

“Sa i përket Kosovës edhe në raportet e fundit ndërkombëtare flitet vetëm për moszbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe ndërkaq Kosova për aq sa jemi të informuar ne edhe nga qeveritë paraprake edhe nga kjo e tanishmja i ka zbatuar obligimet e veta që dalin nga të gjitha marrëveshjet tjera”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, edhe nga Beogradi ka fajësime pse Prishtina nuk po e përmbush pjesën e vet të obligimeve. Madje, akuzat shtrihen jo vetëm në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe marrëveshjeve tjera, pjesë e të cilave janë edhe Kosova edhe Serbia, siç është rasti me CEFTA-n, një marrëveshje rajonale për tregti të lirë.

Pavarësisht se CEFTA nuk bën pjesë në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk do të vazhdojë me dialogun, përderisa Prishtina të mos e shfuqizojë masën e vendosjes së taksës prej 10 për qind për prodhimet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Serbia është e gatshme për dialog, por para saj dikush duhet të sillet me përgjegjësi. Duhet të përmbushë pjesën e vet të obligimeve. Beogradi i ka përmbushur të gjitha ndërsa Prishtina detyrimin e vetëm, atë për formimin e Asociacionit të komunave serbe nuk e ka përmbushur”, kishte deklaruar Vuçiq, pas takimit të fundit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel.

Përderisa Beogradi dhe Prishtina e gjuajnë topin te njëra tjetra për moszbatim të marrëveshjeve në Bruksel, ish kryenegociatorja kosovare në këto bisedime Edita Tahiri, që ka qenë e përfshirë në dialogun për arritjen e pothuajse gjitha këtyre marrëveshjeve, thotë se në fakt janë të pavërteta deklaratat se Serbia nuk e ka zbatuar asnjë marrëveshje, mirëpo lista e marrëveshjeve që ajo nuk i zbaton është më e gjatë sesa e Kosovës:

“Ajo që unë nuk pajtohem kur dëgjoj disa deklarata ku thuhet se Serbia fare nuk ka zbatuar marrëveshjet kjo fare nuk qëndron. Për tu zbatuar marrëveshjet dhe për të kthyer sovranitetin e Kosovës në veriun e Kosovës, faktikisht tri palët janë angazhuar edhe Kosova edhe Serbia edhe BE-ja, pra nuk mund të thuhet se Serbia fare nuk ka zbatuar, por e ka listën më të gjatë të marrëveshjeve të pazbatuara”, tha Edita Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Rezultatet e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, sipas Edita Tahirit, vërehen në terren, në veçanti në shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri. Kjo sipas saj, dëshmohet me vendosjen e doganës, policisë si dhe organeve gjyqësore në veri, të cilat para arritjes së marrëveshjeve kanë funksionuar paralelisht me sistemin juridik e kushtetues të Kosovës.

Për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, sipas Tahirit, ka kontribuar edhe Serbia. Megjithatë ajo thotë se janë ende shtatë marrëveshje të cilat Serbia nuk po i zbaton, përderisa Kosova, nënvizon ajo, është treguar më përgjegjëse në këtë proces, përveç marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të cilën ende nuk e ka zbatuar. Faktin që Serbia akuzon Kosovën për moszbatim të asnjë marrëveshje, Tahiri e quan gënjeshtër. /REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img