Prodhimi jo i mjaftueshëm i energjisë elektrike për konsumin vendorë nga blloqet ekzistuese ka shtuar zërat që kërkojnë që sa më parë të merret vendimi për fillimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike. Edhe pse fillimi i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës është drejtë përfundimit, kushtet e reja të Bankës Botërore, mund ta vonojnë edhe më shumë këtë proces dymbëdhjetëvjeçar.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka thënë se gjatë marsit do të nënshkruhet marrëveshja me “Contour Global” për nderimin e termocentralit të ri. Sipas tij, pas përmbylljes së marrëveshjes ndërtimi katër vjeçar i këtij termocentrali duhet të filloj më 2018.
“Ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’ do të zgjasë katër vjet dhe nga viti 2022, kur ky kapacitet i ri do të instalohet dhe do të funksionojë, besoj që përfundimisht do ta bëjmë atë që e quaj zgjidhje shekullore, sepse më nuk do të kemi probleme me furnizimin e rregullt me energji elektrike”, tha ai.
Ministri Stavileci premton se teknologji, e cila do të përdoret në Termocentralin “Kosova e Re” do të jetë moderne dhe me ndotje minimale të mjedisit.
E, eksperti i energjetikes Agim Perolli ka thënë se çdo vonesë për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” vështirëson furnizimin me energji elektrike. Ani pse edhe ky termocentral nuk do t’i plotësojë nevojat konsumuese vendore me rrymë.
“Kriza energjetike do të na përcjellin edhe muajve në vijim. Parashikimet për vitet e dekadës pasuese janë edhe më të frikshme duke marrë parasysh tre faktor kyç, rritja e konsumit për çdo vjet, degradimi e mëtejmë i termocentraleve ekzistuese dhe mungesa gjithnjë e më e madhe e energjisë në rajon. Aktualisht as 50% të nevojave tona nuk plotësohen nga prodhimi vendor. Ky fakt duhet ta mobilizoi Qeverinë e Kosovës për marrjen e vendimeve sa më parë për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike”, ka thënë Perolli.
Sipas tij, projekti për Termocentralin “Kosova e Re” gjendet para një sfide. Por që përkrahja e Bankës Botërore është vital për realizimin e tij. “Përkrahja e Bankës Botërore është elementi kyç i projektit pa të cilën nuk paramendohet asnjë hap në realizim e tij. Banka Botërore tani kërkon plotësimin në mënyrën ma rigorozë të të gjitha kritereve të nevojshme teknike, mjedisore sociale, ligjore dhe financiare”, tha Agim Perolli.
Ndërtuesi i Termocentralit “Kosova e Re” sipas tij, duhet t’i plotësojë disa kritere teknike dhe mjedisore.
“Ndërtuesi i ri që duhet të përzgjidhet duhet t’i jap garancionet e qëndrueshme me argumentet e forta se Termocentrali i ri do t’i plotësojë në përpikëri kriteret teknike sa i përket koeficientit të shfrytëzimit, zgjedhjes së pajisjeve të firmave të dëshmuara në prodhimin dhe fabrikimin e stabilimenteve termoenergjetike, dhe përmbushjes e të gjitha standardeve europiane dhe botërore për rruajtjen e ambientit dhe imitimit të gazrave”, ka thënë Agim Perolli ekspert i energjetikës.
Kurse Banka Botërore në një letër dërguar ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka kërkuar që të plotësohen të gjitha kriteret e nevojshme teknike, ekonomike, mjedisore, sociale, ligjore dhe financiare.
“Duhet të kompletohen disa detyra përgatitore, sekuenciale, prioritare, që kërkojnë përpjekje të fokusuara dhe të koordinuara, disa nga ekipi i Bankës Botërore e disa nga Qeveria e Kosovës me përkrahje të partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në letrën e Cyril Muller, zëvendëspresident Rajoni për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore.
Në letër theksohet se Banka Botërore do të përkrah gjenerimin e ri të energjisë nga thëngjilli. “Politikat e Bankës kërkojnë që miniera e cila do të furnizojë linjit për Projektin e Centralit Energjetik ‘Kosova e Re’, të konsiderohet një kapacitet i asociuar dhe kjo do të duhet të përmbush të gjitha politikat mjedisore dhe sociale të Bankës që njihen si standard global për mbrojtjen e njerëzve të ndikuar nga projektet”, thuhet në letrën e Mullerit.
Ndryshe, nënshkrimi i marrëveshjes komerciale, e cila është faza e parafundit me investitorin Contour Global, pritet të kryeht gjatë muajit mars.