Site icon PrishtinaPress

Kosova e para në rajon me energji diellore për ngrohje qendrore

Projekti i cili e bënë Kosovën vendin e parë në Ballkanin Perëndimor që shfrytëzon ngrohjen diellore, është nënshkruar sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Projekti “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore me energji diellore” kap vlerën mbi 80 milionëve.

Për realizimin e këtij projekti përfshihen dy grante nga Qeveria gjermane dhe BE-ja, në vlerë prej 31.6 dhe 21.5 milionë euro respektivisht, për t’u implementuar përmes Bankës gjermane për Zhvillim-KfW. Ndërsa pjesa tjetër e projektit financohet nga një kredi e butë nga BERZh-i në vlerë prej 23.2 milionë.

Por, çka parasheh projekti “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore me energji diellore”?

Projekti i Ngrohjes Qendrore parasheh ndërtimin e një impianti diellor, i cili shfrytëzon energjinë e diellit për ngrohje qendrore, e po ashtu shton kapacitetin e ngrohjes përmes zgjerimit të rrjetit edhe për 50 MW të tjerë.

Kjo teknologji inovative mundëson mbledhjen e energjisë diellore gjatë verës, ruajtjen e saj, e më pas përdorimin e energjisë së ruajtur për ngrohje qendrore gjatë dimrit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje tha se këto kapacitete të reja do të sigurojnë qasje në sistemin e ngrohjes qendrore për rreth 38 mijë qytetarë.

“Gjë që do të zëvendësojë sistemet individuale të ngrohjes, e në të njëjtën kohë do të trajtojë edhe problemin kronik të ndotjes së ajrit në Prishtinë” u shpreh ai.

Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se tranzicioni i gjelbër i Kosovës është qëllim i përbashkët.

“Impianti i ri diellor është investimi më i fundit i BE-së në këtë drejtim, por jo i vetmi. BE-ja do të vazhdojë mbështetjen në tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës edhe përmes një projekti tjetër të energjisë diellore prej 100 MW me KEK-un”, tha ai.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe zëvendës ambasadori gjerman në Kosovë, Mathias Conrad.

Ai tha se Gjermania ka mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt tranzicionit nga qymyri në energji të qëndrueshme, dhe dekarbonizimin në përputhje me objektivat e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

“Solar4Kosovo, bazohet në këtë trashëgimi të përbashkët të bashkëpunimit tonë me institucionet kosovare, BE-në dhe donatorët e tjerë, andaj edhe jemi krenarë që bashkërisht kemi mundësuar një projekt të tillë pioner”, shtoi ai.

Fjalë në këtë ceremoni pati edhe Charlotte Ruhe, Drejtoreshë Menaxhuese e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore.

“Falë këtij projekti, shumë familje në Prishtinë do të ndalojnë djegien e qymyrit dhe drurit për të ngrohur shtëpitë e tyre, gjë që do të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e ajrit dhe do të reduktojë emetimet e CO2. Por, kjo nxehtësi e re do të jetë gjithashtu “e gjelbër”. Jam shumë krenare që jam këtu sot dhe kam nënshkruar këtë projekt me partnerët tanë. Një tjetër investim i madh në Prishtinë në kuadër të Programit të Qyteteve të Gjelbra të BERZH-it”, u shpreh ajo.

Ky projekt paraqet investimin më të madh të energjisë diellore në sektorin e ngrohjes qendrore në rajon dhe një nga impiantet diellore më të mëdha në Evropë./Prishtinapress/

Exit mobile version