7.3 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

Kosova e hapur dhe pa mbrojtje ndaj propagandës ruse

Në 22 vjetët e pasluftës në Kosovë, Rusia ka qenë ndër kundërshtarët më të mëdhenj të shtetit të Kosovës.

Përveç luftës politike e diplomatike, Rusia vazhdon të sfidojë Kosovën edhe përmes propagandës dhe përmbajtjes së rreme, të prodhuar nga mediat e kontrolluara nga Qeveria ruse, thonë hulumtuesit e politikave në Kosovë.

Sipas tyre, këto media që veprojnë në rajon, vazhdimisht prodhojnë përmbajtje të rreme që ka për qëllim krijimin e narratives se Kosova është vend kriminal dhe se është vetëshpallur shtet, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Nga shtatori i vitit 2001 e deri më 12 gusht 2021, në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë janë publikuar gjithsej 835 materiale në të cilat përmendet Kosova.

Në të shumtën e rasteve këto materiale janë deklarata të ministrave dhe zyrtarëve rusë që mohojnë shtetësinë e Kosovës, dënojnë akte të dhunës ndaj minoritetit serb në Kosovë, trashëgimisë kulturore të Kishës Ortodokse Serbe si dhe akuzojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trafikim dhe shitje të organeve.

Në një nga publikimet, më 26 mars 2021, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, akuzon kosovarët për krime të kryera ndaj serbëve në vitet 1998-’99.

“Duke vepruar nën mbulimin e agresionit të NATO-s, militantët nga e ashtuquajtura Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kryen krime të tmerrshme, duke përfshirë rrëmbimin e serbëve, organet e të cilëve më pas u hoqën dhe u shitën”, deklaroi Zakharova më 26 mars 2021.

Në një deklaratë tjetër të datës 17 qershor 2021, ajo akuzon SHBA-në se po armatos një forcë ushtarake shqiptare në Kosovë, e që sipas saj, përbën potencial të shpërthimit të konfliktit në rajon.

“Ideja e Uashingtonit është të krijojë një ‘ushtri’ në atë territor, që është një shkelje e drejtpërdrejtë dhe e hapur e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB –së”, deklaron ajo.

Në nëntor 2020, Ministria e Jashtme e Rusisë mes tjerash, lavdëroi Dhomat e Specializuara të Kosovës pas arrestimit të ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në këtë ueb-faqe ka dhjetëra komunikata dhe deklarata të tjera që kontestojnë shtetësinë e Kosovës dhe që kontestojnë rolin e shteteve perëndimore, në ruajtjen e paqes dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

Kosova pa përgjigje ndaj luftës së Rusisë

Përveç luftës politike dhe diplomatike që Rusia i bën Kosovës, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), në një raport të publikuar në mars 2021, ka identifikuar se mediat e kontrolluara nga Rusia, janë mjaft aktive në prodhimin e propagandës kundër Kosovës.

“Sidomos Sputnik Serbia, Sputnik International dhe Rusia Today (RT) janë në rend të parë sa i përket propagandës dhe dezinformimit ndaj Kosovës”, thotë autori i këtij hulumtimi, Lulzim Peci nga KIPRED.

Peci thotë se pas analizës së veprimeve të Rusisë në raport me Kosovën, mund të konstatohet se politika zyrtare e Kremlinit që nga shpallja a pavarësisë së Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare, ka për qëllim të ndërtojë narrativen se shpallja e pavarësisë bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe se Kosova është shtet kriminal dhe ekstremist.

Portreti i presidentit rus, Vladimir Putin, në veri të Mitrovicës (Foto nga arkivi). 

 “Tentojnë ta portretizojnë Kosovën si ‘quasi’ shtet dhe shtet kriminal që bënë dhunë ndaj komunitetit lokal serb, Kishës Ortodokse, që është një çerdhe e ekstremizmit islamik, e kështu më radhë”, thotë Peci.

Në shumë prej reagimeve zyrtare të Qeverisë ruse si dhe të zyrtarëve qeveritar rusë, përgjatë viteve, akuzohet komuniteti ndërkombëtar që përmes ndërhyrjes së NATO-s, mundësoi çlirimin e Kosovës, e që më vonë çoi në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

“Qëllimi i [propagandës ruse] nuk është vetëm Kosova në vetvete, por këtu kemi të bëjmë edhe me diskreditimin e rolit të Perëndimit në paqe dhe siguri në Ballkan, por edhe në vetë shtetësinë e Kosovës”, thotë Peci.

PE: Disa media në Kosovë i krijuan hapësirë propagandës ruse

Në një raport tjetër të Parlamentit Evropian, i publikuar këtë vit, thuhet se ndikimi i propagandës dhe keqinformimit të sponsorizuar nga Rusia në Kosovë, është më i vogël se në vendet tjera në rajon si në Serbi, Mal i Zi dhe Maqedoni e Veriut.

Megjithatë, sipas këtij studimi, as Kosova nuk është imune ndaj informatave dhe lajmeve të rreme.

Ky raport i publikuar në muajin shkurt me titull “Identifikimi i lajmeve të rreme dhe keqinformimit në Ballkanin Perëndimor si dhe gjetja e mënyrave me efektive për luftimin e tyre”, identifikon faktin se si mediat kosovare marrin në shumë raste deklarata dhe shkrime nga mediat në Serbi dhe i paraqesin si qëndrime kundër Kosovës.

Në disa raste, këto përfshijnë raportime të rreme nga mediat e kontrolluara nga Qeveria e Rusisë, në disa raste nga mediumi Sputnik Serbia si dhe media serbe Informer, që më 20 maj 2020, kishte raportuar se shqiptarë të Kosovës po bënin plane për të kidnapuar tenistin serb me famë botërore Novak Gjokoviq, i cili ka deklaruar në të kaluarën se “Kosova është Serbi”.

Studimi përmend edhe një raportim të rremë, që ishte publikuar në mediat online, në të cilin thuhej se asokohe kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, ishte spiune ruse.

Sahatqija: Kosova është e ekspozuar ndaj sulmeve të Rusisë

Që nga viti 2016, Teuta Sahatqija ka ushtruar detyrën e Konsulles së Përgjithshme në Nju Jork të SHBA-së.

Gjatë kohës sa ka shërbyer atje, Sahatqija thotë se Rusia vazhdimisht është munduar që të luftojë Kosovën në aspektin diplomatik, qoftë në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së apo edhe përmes ndihmës dhënë Serbisë, në fushatën e saj për sigurimin çnjohjeve të shtetit të Kosovës.

Sahatqija thotë se Rusia ka përdorur ndikimin për të kundërshtuar Kosovën rregullisht, përmes një diskursi të ashpër në Kombet e Bashkuara me rastin e raportimeve të rregullta të misionit të UNMIK-ut për situatën në Kosovë.

“Është fat i mirë që këto raportime janë përgjysmuar në frekuencë, duke ua zvogëluar Rusisë e Serbisë skenën kundër Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thotë Sahatqija përmes një përgjigje të shkruar për Radion Evropa e Lirë.

Duke përmendur lobimin e Rusisë kundër anëtarësimit të Kosovës, në organizata ndërkombëtare, UNESCO dhe INTERPOL, Sahatqija thotë se Rusia lufton në baza të rregullta subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq dhe deputeti nga Lista Serbe, Igor Simiq ishin të pranishëm gjatë arritjes së një marrëveshjeje të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Mitrovicës së Veriut dhe delegacionit nga “Shtëpia ruse”. 

Kosova ‘lufton’ propagandën ruse me komunikata

Instituti KIPRED në raportin për “Luftimin e Operacioneve Ruse të Dezinformimit”, analizon edhe kapacitetet e institucioneve të Kosovës.

Ky institut identifikon faktin se Kosova, aktualisht nuk ka kapacitete në luftimin e propagandës dhe keqinformimit rus.

“Në MPJ nuk ka desk për Rusinë dhe nuk ka asnjë person të emëruar i cili në baza ditore merret me Rusinë, e po ashtu e njëjta gjë është edhe në zyrën e kryeministrit dhe në presidencë”, thotë Peci.

Sipas Pecit, Kosovës i mungon një qasje strategjike se si duhet vepruar me Rusinë.

“Ne praktikisht kemi reagime reaktive ndaj Rusisë dhe nuk kemi mendim strategjik, se si t’i qasemi propagandës dhe luftës diplomatike të Kremlinit”, thotë Peci.

Edhe ish-konsullja e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, thotë se reagimet e Kosovës në raport me veprimet e Rusisë kanë qenë zakonisht të formës verbale dhe se ka munguar reagimi substancial.

“Një reagim më i fuqishëm ishte ai me shpalljen Persona Non Grata të përfaqësuesit rus në UNMIK, i cili ndihmoi protestuesit e dhunshëm në veri të vendit kundër policisë. Nuk jam në dijeni që janë ndërmarrë veprime për mbrojtje kibernetike apo veprime kundër lajmeve të rreme”, thotë Sahatqija.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, për strategjinë e luftimit të propagandës dhe dezinformimit nga Rusia, si dhe për faktin nëse ka ndonjë zyrtar apo departament që merret ekskluzivisht me këto çështje si dhe me raportet Kosovë-Rusi, porse nga ky institucion, deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Të njëjtat pyetje janë dërguar edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë. As ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Më 27 shkurt 2021, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës i reagoi Ministrisë së Jashtme të Rusisë, duke thënë se ky shtet vazhdimisht është përpjekur që të pengojë shtetin e Kosovës.

Në reagim të MPJD-së thuhej se Rusia ka tendenca për të penguar dhe bllokuar Kosovën si dhe e akuzoi Rusinë për ndërtimin e bazës ushtarake në afërsi të Kosovës në qytetin e Nishit në Serbi, organizimin e incidenteve në veri të vendit, nga pjesëtarë rusë të misionit të UNMIK-ut si dhe për sponzorizime ruse, për të prodhuar lajme të rreme për Kosovën.

Ministria e Jashtme e Kosovës po ashtu përmendi rolin e Rusisë në sponsorizimin e trenit me ikonografi ortodokse, që Serbia tentoi ilegalisht ta fusë në territorin e Kosovës në janar të vitit 2017.

Kosovë-Rusi, një relacion gjithmonë i tensionuar

Rusia ka pasur qysh herët qëndrim kundër Kosovës. Në vitin 1999, ishte kundërshtari më i madh i vendimit të Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s për të bombarduar caqet policore e ushtarake serbe në ish-jugosllavi.

Edhe pse ishte e përfshirë në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, bashkë me pesë vende të tjera të Grupit të Kontaktit (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë dhe Itali), Rusia në fund prishi konsensusin duke kërcënuar me “veto” çdo rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që do të mundësonte krijimin e shtetit të Kosovës.

Ky vend ka kundërshtuar shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, ndërkohë që dy vjet më pas, më 2010, Rusia sërish doli kundër opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ani pse Serbia, me mbështetjen e Rusisë kishte insistuar përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për një opinion nga GJND-ja.

Që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi rajonin e Krimesë nga Ukraina, Rusia është përpjekur që shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ta lidhë drejtpërdrejt me këtë konflikt.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img