Është organizuar Forumi Ekonomik i Sipërmarrjes Shqiptare Kosove-Shqipëri, ku pjesëmarrës ishin Kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gerxhaliu, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, Ministri i Financave Avdullah Hoti edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Safet Gerxhaliu tha se më i rëndësishëm është bashkimi ekonomik i Kosovës dhe Shqipërisë e jo nacionalizmi folklorik, përderisa vlerësoi që varësia nga importi është e dëmshme për shtetin, njofton Klan Kosova.
Jaka vlerësoi që nuk mjafton vetëm mbështetja e qeverive mirëpo ka nevoje për një strategji afatgjate për mbështetjen e sipërmarrjeve kombëtare, përderisa ministri Hoti tha se brenda 2-3 viteve mund të behet unifikimi i ekonomisë së këtyre dy shteteve.
Ndër të tjera është thënë që do të rishikohet edhe marrëveshja e CEFTA-s, se a po i mbron interesat e Kosovës siç duhet.
Ndërsa ambasadori Minxhozi tha se me futjen në veprim të pikës doganore të Kosovës në Durrës do të hapet një kapitull i ri i marrëdhënieve ekonomike.