Site icon PrishtinaPress

Kosova dhe Serbia pa përparim në bisedimet për uljen e tensioneve dhe marrëveshjen e normalizimit

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç u takuan të mërkurën ndaras në Bruksel me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak për të diskutuar uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

“Diskutuam një listë të gjatë të çështjeve të dialogut duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe shtensionimin në veri. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme” shkroi Lajçak pas takimeve por pa dhënë më shumë hollësi.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha se ishte qëndrim i Lajçak që të mos ketë takim trepalësh, meqë një takimi tillë “jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit (të zbatimit të marrëveshjes) kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”.

Bislimi u shpreh i brengosur me “draftet e deritanishme që Lajçak u ka dërguar palëve tona. Ne mendojmë që ai plan është selektiv dhe u kushton më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë dhe nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes. Ne kemi tentuar që në një takim trilateral me palën serbe të vendosim të gjitha obligimet që palët marrin nga marrëveshja bazike në një plan të detajuar të sekuencimit. Nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim apo ecje tutje”, tha ai.

Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës, raporton VOA.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e parë të uljes së tensioneve, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se tashmë është zvogëluar prania e policisë së Kosovës me 25 për qind në tre ndërtesat komunale në veri, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Bislimi tha se veprimet e Kosovës do të duhej të pasoheshin me heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian që u vendon muajin e kaluar për shkak të situatës në veri.

“Për ne është habi që edhe tetë ditë pas darkodimit në Bratisllavë, ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e (Josep) Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit Evropian. Nuk mund të themi që kemi zbatuar të gjitha masat për arsye se një prej masave është mbajtja e zgjedhjeve, por ne kemi treguar rrugën që çon në normalizimin e situatës e mungesa e kësaj rruge ka qenë preteksti i BE-së për vendosjen e masave ndëshkuese, e tash gjetja e rrugës nënkupton edhe instrumentin për heqjen e masave ndëshkuese”, tha Bislimi.

Vuçiç: NATO-ja të mbrojë serbët në Kosovë

Kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviç nuk foli pas takimit ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç i cili u takua pasdite vonë me Lajçak tha se “Serbia vazhdon të ngulë këmbë në hapat konkretë që synojnë mbrojtjen e jetës së serbëve në Kosovë, si dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”.

Presidenti serb tha se situata në veri të Kosovës po bëhet gjithnjë e më shumë çështje e sigurisë sesa çështje politike. Ai e ritheksoi këtë edhe në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stolteberg, i cili u bëri thirrje palëve të përmbahen nga veprimet e dhunshme.

Stoltenberg rikujtoi se në muajin maj trupat e NATO-s në veri të Kosovës u sulmuan nga protestuesit serbë dhe 93 prej tyre mbeten të plagosur, trë nga të cilët pësuan plagë të rënda. “Kjo është e papranueshme”, tha Stoltenberg duke nënvizuar se “është më rëndësi që tensionet janë ulur dhe u bëjmë thirrje palëve të përmbahen nga veprimet dhe retorika nxitëse”. Ai shprehu besimin se rruga e vetme është dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Presidenti serb tha se është shumë i shqetësuar rreth zhvillimeve në Kosovë, që sipas tij janë rrjedhojë e “qasjes së papërgjegjshme të autoriteteve të Prishtinës”.

Ai i bëri thirrje Stoltenberg që NATO-ja të ofrojë “siguri për serbët në Kosovë”.

NATO-ja vendosi trupa shtesë në Kosovë pas krizës në veri, mes shqetësimeve për ripërtëritje konfliktesh në rajon, ndërsa kontinenti evropian përballet me pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

Exit mobile version