Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, konfirmuan kryenegociatorët e të dy vende, të cilët e akuzuan njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje.
“Fatkeqësisht edhe sot kemi pasur dallime të mëdha”, tha kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur për gazetarë pas takimit me homologun e vetë serb Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Derisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si serbët e Kosovës mund ta marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokat i Postanska banka (Kursimorës së Postës serbe) dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të licencohet ajo”, tha Bislimi.