Site icon PrishtinaPress

Kosova dhe Serbia edhe sot temë në Samitin në Bruksel, Von der Leyen: Hetimet për sulmin në Banjskë po vazhdojnë

Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka bërë të ditur se sot, në ditën e dytë të samitit të Këshillit Evropian, do të diskutohet për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Kemi pasur dy takime me Vuçiqin dhe Kurtin. Ne mbështesim normalizimin dhe de-përshkallëzimin”, tha Michel në një konferencë për shtyp të mbajtur së bashku me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen tha se Komisioni është duke e pritur rezultatin e hetimeve rreth sulmit në Banjskë të Zveçanit, kur u pyet për akuzat se Komisioni nuk ka qëndrim të baraspeshuar, pasi mori masa ndaj Kosovës në fillim të këtij viti, por jo edhe ndaj Serbisë, e cila e mohon përgjegjësinë për sulmin e muajit të kaluar.

“Do të jem shumë e shkurtër në përgjigje, hetimet janë duke u zhvilluar dhe kemi thënë disa herë se kur të përmbyllen hetimet, ne do të vendosim për të ndërmarrë masa dhe çfarë lloj masash”, tha ajo.

Pa ndonjë përparim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh të enjten në Bruksel.

Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët.

Siç deklaroi Borrell, pas takimeve në Bruksel, palët nuk arritën të pajtoheshin pasi tha se secila kishte parakushte që nuk i pranonte pala tjetër.

“Jemi shumë të shqetësuar nga ngërçi i procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sulmet e fundit terroriste që i kemi dënuar sërish në takimin që kemi pasur sot veçmas me kryeministrin Kurti, së bashku me presidentin Macron, kancelarin Scholz dhe kryeministren Meloni, dhe më pas me presidentin Vuçiq, për të diskutuar situatën, për të sqaruar edhe një herë se e vetmja rrugë përpara është dialogu”, tha Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian Josep Borell ka folur për herë të parë edhe rreth propozimit të Pesëshes për draft-statutin e Asociacionit të cilin e sollën më 21 tetor në Prishtinë. Duke e përmendur si pengesë, Borrell tha se BE ka bërë një propozim serioz dhe te balancuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shefi i diplomacisë evropiane tha se kanë insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast, që siç tha ai, që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit.

“Është një pengesë e madhe e që është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në mënyrë që të ndihmohen palët për të arritur marrëveshje, bashkë kemi prezantuar një propozim serioz evropian dhe të balancuar për ta themeluar këtë asociacion dhe kemi insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit dhe të shmangen spiralet e reja të dhunës”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës pas takimeve ka konfirmuar, se edhe vetë kryeministri Albin Kurti, është shprehur i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga diplomatët-euroatlantikë javën e shkuar.

Megjithatë, sërish nuk ka pasur nënshkrime të palëve, pasi siç ka thënë Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media të enjten pas takimeve në Bruksel, një gjë e tillë është refuzuar nga Serbia.

Exit mobile version