Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmruar qe së shpejti do të takohen komisionet ndërshtetërore për rishikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi në drejtim të Kullës dhe Çakorrit.
Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se ka biseduar me kryeministrin malazez, Dusko Markovic, për të formuar komisionet Kosova dhe Mali i Zi për rishikimin e demarkimit të kufirit.
Postimi i plotë i Kryeministrit ne Facebook:
Komisionet ndërshtetërore së shpejti takohen për rishikimin e demarkacionit në drejtim të Kullës dhe Çakorrit!
Për çështjen e rishikimit të Marrëveshjes për demarkacimin e kufirit me Malin e Zi, në raste të shumta, në mirëbesim të plotë, kam biseduar me homologun tim malazez, Dusko Markovic. Kosova dhe Mali i Zi janë gati të formojnë komisionet për rishikimin e demarkimit të kufirit më drejtim të Kullës dhe Çakorrit.
Edhe gjatë Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Poznan, me kryeministrin e Malit të Zi rikonfirmuam dakordimin që komisionet të fillojnë punën në afat optimal dhe që së shpejti të hapet një pikë kufitare në Çakorr dhe Kullë.
E falënderoj homologun tim, Dusko Markovic, për qasjen konstruktive dhe vullnetin për fuqizimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona”, ka shkruar Haradinaj.