Nën organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, delegacioni nga shteti amerikani Iowas, i përbërë nga ligjvënës, përfaqësues të institucioneve publike e private, e të institucioneve edukative vizitoi disa kompani kosovare për t’u njohur me punën që ato bëjnë si dhe me produktet që prodhojnë, ndërsa një pritje për nder të tyre u organizua në fabrikën e produkteve plastike KIVO në Kaçanik.
Ligjvënësi nga shteti i Iowas Zach Nunn, i shoqëruar nga zyrtari për marrëdhënie ndërkombëtare i shoqatës së bizneseve Greater Des Moines Partnership që përfaqëson mbi 8,000 biznese nga shteti i Iowas, dhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane takuan zëvendësministrin e Financave të Kosovës Fatmir Gashi. Gjatë takimit zëvendësministri Gashi, por edhe këshilltarët Lulzim Rafuna e Behxhet Haliti sqaruan përfitimet për bizneset nga reforma e fundit fiskale që ka zbatuar Kosova, por edhe për mundësitë të investimit në Kosovë. Ligjvënësi Nunn u interesua lidhur me infrastrukturën e mundshme në të cilën investitorët e interesuar amerikan do të mund të vendoseshin.
Anëtarë të delegacionit amerikan u takuan edhe me ish Presidenten e vendit Atifete Jahjaga, ku e falënderuan atë për rolin e saj në avancimin e raporteve ndërmjet shteteve simotra të Iowas dhe Kosovës. Ata u informuan më detajisht që Presidentja Jahjaga po bënë me Fondacionin e saj të themeluar së fundmi.
Delegacioni vizitoi Parkun e Biznesit në Drenas ku u takuan me Kryeshefin e Agjencisë për Investime dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve në Kosovë Besian Mustafa, por edhe kompaninë e produkteve pastike SCAMPA që operon në këtë park. Agjenda e delegacionit përfshiu edhe vizita në fabrikën e prodhimit të produkteve plastike KIVO, Qendrën e Inovacionit të Kosovës, fabrikën e përpunimit të patates VIPA, fabrikën Birra Peja, fabrikën e produkteve farmaceutike TrePharm, korporatën HIB/Emerald, si dhe Korporatën Energetike të Kosovës.
Institucionet edukative nga Iowa janë takuar edhe me përfaqësues të kolegjeve private në Kosovë, qendrat eedukimit profesional, si dhe Shoqatën e Hoteleve, Restoraneve dhe Kafiterive, për të diskutuar për nevojën e prezantimit të programeve të trajnimit profesional në sektorin e gastronomisë. Delegacioni ka vizituar edhe Komunën e Shtërpcës ku është njoftuar me potencialet që ofron qendra rekrative-turistike e Brezovicës, si dhe mundësitë për investime në të.