2.2 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

​Kosova as sivjet nuk pritet të sigurojë bukën e motmotit

Në disa vende të Kosovës ka nisur fushata e korrje-shirjeve të grurit, por vendi edhe sivjet nuk pritet të sigurojë bukën e motmotit. Përkundër punës së përkushtuar të bujqve nëpër arat e tyre, pranvera e ftohtë ka ulur pritshmëritë për prodhim të bollshëm të grurit.

Rreth 40 për qind rendimenti me grurë pritet të jetë më i ulët, si pasojë kushteve jo të përshtatshme atmosferike. Për këtë konsiderohet se edhe në këtë vit, Kosova do të jetë e varur nga importi i grurit.

Në anën tjetër, shumë toka po mbesin djerrina, e për këtë po kritikohen institucionet. Bujqit po tërhiqen nga prodhimtaria, meqë nuk kanë mundësi ekonomike të përballojnë humbjet.

Profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci thotë se këtë vit ka një trend rritës të sipërfaqeve të grurit, por sipas tij, prodhimi nuk do të jetë siç është planifikuar.

“Për dallim nga vitet e kaluara, sivjet është një trend më i madh i sipërfaqeve të mbjella me grurë dhe planifikimet, pritshmëritë kanë qenë më të mëdha në raport me vitet e kaluara, por që pranvera ishte e ftohtë, kishte reshje të vazhdueshme, atakuan shumë ngastra kultivuese patogjenet dhe sëmundjet dëmtues, me këtë edhe prodhimi nuk do të jetë ai që ka qenë i planifikuar. Edhe këtë vit do të varemi nga importi i grurit siç e kemi pas traditë edhe viteve të kaluara fatkeqësisht. Është e pajustifikueshme edhe për konditat tona euroekologjike, edhe për fermerët qofshin prodhues ose përpunues… Arsyet janë nga më të ndryshmet, por para së gjithash, reshjet e vazhdueshme që mbretëruan mars, prill, maj e qershor prolonguan mbjelljet pranverore dhe shtynë afatin optimal të korrjeve-shirjeve të grurit, që kjo do të jetë në raport me vitet e kaluara diku për 10 deri në 15 ditë më vonë se viteve të kaluara”, thotë ai.

Pak komuna në vend kanë nisur korrjet-shirjet, ani se ka filluar sezoni i tyre. Edhe në ato që ka nisur fushata e korrjeve, pritjet për rendimentin e grurit nuk janë të kënaqshme.

“Në Suharekë, Gjakovë, Klinë, Rahovec kemi marrë disa sondazhe. Nuk mund të flitet për prodhimin përfundimtar, por mostrat e marra nga sondazhet, vlerat janë ekstreme… Edhe këtë vit do të karakterizohemi në mesatare të prodhimit mbi 4 ton për hektar, që për vite të tëra prodhimi ka qenë shumë i ulët, 3.5 deri në 4.2 ton për hektar, varësisht nga viti. Pra, akoma ndodhemi shumë larg realizimit të produktivitetit të punës në bujqësinë primare, karakterizohemi në vendet e fundit. Pra, Kosova duhet të investojë shumë në ngritje të produktivitetit të punës në bujqësinë primare, e në veçanti për kulturën strategjike siç është gruri”, shton Rusinovci për KosovaPress.

Rusinovci konsideron se importi i grurit është në nivele të larta dhe i pajustifikueshëm për shkak të mundësive që ofron klima e Kosovës. Për këtë, ai thekson domosdoshmërinë e marrjes së masave nga ana e shtetit.

“Ne duhet të punojmë shumë në terren që ta ulim importin marramendës për prodhimet që koincidojnë me kushte tona euroekologjike. Nuk ka logjikë të thuhet se importi i bujqësisë do të vijë në zero, sepse është e pamundshme një gjë e tillë, orizi nuk përkon me klimën tonë, por të ketë import marramendës të grurit është e pajustifikueshme”, shprehet ai.

Rusinovci kërkon që institucionet të mbështesin këtë sektor dhe të ndjehet dora e shtetit.

Një gjë të tillë e thotë edhe kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, i cili shton se këtë vit rendimentet pritet të jenë shumë të ulëta.

Ai veçon edhe vonesat e realizimit të subvencioneve nga programi i pagesave direkte.

“Kur ta marrim mesataren, frikësohemi shumë se rendimenti do të ulët për rreth 40 për qind… Kur janë në pyetje investimet te gruri, çmimet e larta të pesticideve, plehra, e materialeve në përgjithësi ndikojnë sepse bujqit nuk kanë mundësi, kanë gjendjen e vështirë ekonomike dhe nuk kanë mundësi të investojnë sa duhet. Rrethanat e tilla të sivjetme nuk mbahen mend për një kohë të gjatë, një kohë e papërshtatshme për grurin. Mirëpo, edhe ata që dinë se çfarë masa duhet të marrin, për shkaqe ekonomike hezitojnë, nuk kanë mundësi të investojnë, të bëjnë mbrojtjen siç duhet, edhe subvencionet po vonohen…Përderisa bujku nuk ka mundësi të mbulojë koston e prodhimtarisë, ai nuk është i stimuluar, kemi shumë fermerë që po tërhiqen sepse ka raste se dështojnë dhe po tërhiqen prej prodhimtarisë së grurit dhe kulturave të tjera bujqësore”, përfundon ai.

KosovaPress dërgoi pyetje edhe në Ministrinë e Bujqësisë lidhur me përgatitjet për korrje-shirje, për sipërfaqet e mbjella me grurë dhe sa pritet të plotësohen kërkesat e Kosovës këtë vit me grurë, por, e njëjta nuk ktheu përgjigje.

Mirëpo, një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti, pasi mori pjesë në nisje të fushatës së korrje-shirjeve në fshatin Suhodoll tha se afër 67 mijë hektarë janë mbjellë me grurë sivjet, apo 32% më shumë sesa vjet.

“474 euro për hektar është mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë apo rritje prej 216% krahasuar me qeveritë e shkuara: 150 euro për sipërfaqe, 150 euro për plehrim, 120 euro për rendimentin (4 tonë për hektar) dhe 54 euro për derivate (heqja e akcizës për naftë)”, tha Kurti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img