Kosova është anëtarësuar në Justice Action Coalition, duke iu bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një grupi të shteteve tjera demokratike.
Këto shtete synojnë ta promovojnë kolektivisht drejtësinë e përqendruar tek qytetarët në të gjitha nivelet.
Kështu ka njoftuar Zyra e Presidencës duke theksuar se kjo iniciativë e Osmanit është pjesë e zotimeve të Samitit për Demokraci.
“Përmes këtij koalicioni, Republika e Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e strategjive dhe prioriteteve ndërkombëtare të cilat kanë për qëllim qasjen e barabartë në drejtësi për të gjithë”, ka thënë Osmani.
“Republika e Kosovës, përgjatë vitit të kaluar ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet e Samitit për Demokraci, të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë “Vitit të Veprimit”, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Tutje në njoftim thuhet se gjatë vitit të kaluar Kosova ka arritur suksese të rëndësishme në tri zotimet e Samitit për Demokraci.