Deri më 14 qershor, në Kosovë janë testuar gjithsej 18,512 persona, kryesisht kontakte të rasteve, dhe prej tyre 1,486 kanë rezultuar pozitivë në COVID-19. Vetëm tre ditët e fundit janë konfirmuar 160 raste të reja me coronavirus, nga 805 persona të testuar.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë kanë vdekur 33 persona me këtë virus.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), në javën e fundit janë shfaqur raste pozitive edhe në mesin e punonjësve në institucione publike dhe private, agjencione, kompani tregtare dhe biznese private.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të premten, në një prononcim për media, se situata është alarmante, dhe se nëse nuk respektohen masat, atëherë autoritetet do të detyrohen t’i kthejnë masat kundër COVID-19, të cilat u liruan dy javë më parë.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani ditë më parë ka thënë se ky Institut ka dhe po bën mjaftueshëm teste.

“Po bëhen çdo ditë teste në bazë të indikacioneve epidemiologjike dhe asnjë qytetar nuk do të mbetet pa u testuar në bazë të simptomave”, tha Ramadani.

Numri më i lartë i testeve ditore që është bërë në Kosovë ka qenë rreth 400 sosh.

Zëdhënësi, Faik Hoti ndërkohë tha se janë duke e shqyrtuar mundësinë e bërjes së testeve serologjike. Testet serologjike, janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur coronavirusin. Për dallim nga testet që i ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik deri tash me strisho, të hundës ose gojës, testi serologjik bëhet përmes mostrave të gjakut.

Testet e tilla janë të rëndësishme për të përcaktuar shkallën e imunitetit ndaj sëmundjes COVID-19, posaçërisht te personat që nuk kanë shfaqur simptoma.

“Si ministri po mendojmë që në të ardhmen të bëjmë edhe teste serologjike, por kjo është menduar të bëhet pasi të kalojë situata aktuale me shumë raste’’, tha Hoti.