Site icon PrishtinaPress

Kosnett: Administrata e Bidenit ka përqafuar marrëveshjen e Washingtonit tërësisht, por kjo s’mund të jetë skica e vetme për dialog

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se janë të përkushtuar të mbështesin procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

Kosnett ka thënë se administrata e presidentit amerikan Joe Biden e ka shqyrtuar me kujdes punën e bërë nga administrata amerikane paraprake, dhe ka ardhur në përfundim se në to ka shumë pjesë të vlefshme.

I pyetur se a është marrëveshja e Washington-it bazë për vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, Kosnett ka theksuar se administrata e Biden-it e ka përqafuar marrëveshjen.

“Administrata e Bidenit ka përqafuar marrëveshjen e Washingtonit tërësisht. Por kjo nuk do të thotë që kur Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë takohen nën patronazhin e BE-së, për të vazhduar përpara, ajo është skica e vetme për të biseduar…Ke elemente politikë që nuk janë diskutuar në atë marrëveshje”, deklaroi Kosnett në RTV 21.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, është deklaruar rreth dokumenteve të fundit që po qarkullojnë në media për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk e di kush i shkruan këto dokumente jozyrtare, por kushdo që po i shkruan me siguri gëzohet nga reagimi i tepruar”, ka thënë Kosnett.

Ai ka theksuar se as SHBA e as partnerët evropianë nuk kanë fare interesim për të nxitur apo shtyrë çfarëdo shkëmbimi territori në Kosovës te palët.

Exit mobile version