Krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë përfshirë gati të gjitha institucionet e nivelit lokal dhe qendror të Kosovës, dhe për më keq, edhe sistemin e drejtësisë, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile.
Këto dukuri të cilësuara si dy pengesat më të mëdha në drejtim të zhvillimit të Kosovës, nuk po arrihet as të luftohen.
Niveli i lartë i korrupsionit në Kosovës ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtar. Ata kishin kërkuar nga institucionet që t’i luftojnë këto dukuri.
Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë në Kosovë, sipas përfaqësuesve ndërkombëtarë, ishte vlerësuar si rruga e vetme për të sjellë mirëqenie për qytetarët e këtij vendi.
Arton Demëhasaj, drejtor në Organizatën për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se derisa në Kosovë ka prokurorë e gjyqtarë të korruptuar, si dhe politikanë me afera korruptive, nuk mund të pritet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Sa i përket luftimit të korrupsionit bëhet shumë pak, për shkak se as brenda vetë sistemit nuk ka filluar të luftohet korrupsioni, e aq më pak të pritet prej sistemit që të luftohet kjo dukuri jashtë saj. Rastet e fundit po tregojnë se korrupsioni ka qenë i lartë në të gjitha sferat, e në anën tjetër nuk kemi raste që janë hetuar apo gjykuar”, thotë Demëhasaj.
Në raportet ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të “Transparency International”, që masin perceptimet e qytetarëve, Kosova vlerësohet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon.
Por, thellimi i luftës kundër korrupsionit dhe posaçërisht dëshmitë konkrete për dënime të, siç thuhet, “niveleve të larta të përfshira në korrupsion”, janë bërë pjesë të kushtit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Mosmarrja e hapave të fuqishëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përveç tjerash, sipas drejtorit ekzekutiv të organizatës “Fol”, Petrit Zogaj, po rrezikon funksionimin e shtetit të së drejtës dhe ndikon negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Në tetë vjetët, e fundit kur kemi shtetin e pavarur, kemi një situatë kur ditën punohet me ligj, natën punohet me ligj të mafias ose ligje që janë anti -shtet, anti-institucione dhe anti-shoqëri. Kjo e bën të pamundur që të kemi respektim të ligjeve derisa ka njerëz që janë kundër atyre dhe i pengojnë në çdo variant që ligji të zbatohet”, shprehet Zogaj.
Përderisa kemi këtë situatë, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk arrihet të luftohet, sipas Zogajt, niveli i këtyre dy dukurive do të rritet në përmasa shkatërruese për shtetin e Kosovës.
“Ne kemi krijuar një nivel të tolerancës së krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili nga një pjesë e shoqërisë, nuk kundërshtohet, sepse në një nivel apo në një tjetër, do të jetë pjesë e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duhet të jesh i korruptuar për të korruptuar një politikan për ta marrë një vend të korruptuar dhe nga një pjesë tjetër e pazëshme, e cila e ka humbur besimin që aktiviteti i saj apo tij mund të përmirësojë sistemin politik institucional dhe shtetëror”, thotë Zogaj për Radion Evropa e Lirë.
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës vazhdimisht kanë deklaruar largimin nga postet publike të të gjithë zyrtarëve që janë përfolur për përfshirje në afera korruptive.
Ata shprehen se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po bëhet më e “ashpër” dhe angazhimi në këtë drejtim, është marrë seriozisht.
Luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e ka paralajmëruar edhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, por ai kërkon përkrahje edhe nga institucionet tjera.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ditë më parë, kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, tha se i vetëm nuk mundet ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Sundimi i ligjit duhet të realizohet përmes të gjitha institucioneve, si atyre legjislative, ekzekutive dhe atyre gjyqësore. Dhe, nuk duhet të lihet i vetëm kryeprokurori; i vetëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
“Unë i kam paralajmëruar disa raste dhe tashmë ato raste janë në duart e gjykatave dhe kemi aktgjykime dënuese. Kemi tri raste që kanë përfunduar në gjykatë, sa i përket rastit të krimit të organizuar, por kemi edhe aktakuza, të cilat tani i kemi dërguar në gjykata”, deklaroi Lumezi